Shtyhet ekstradimi i ish luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj/ Avokati: Procesi po pengohet nga natyra politike e çështjes

schedule11:23 - 12 Shtator, 2023

schedule 11:23 - 12 Shtator, 2023

Është shtyrë për 19 Shtator seanca gjyqësore për ekstradimin e ish luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj. Avokati Ardian Visha, në një prononcim për mediat pas seancës, renditi edhe disa arsye sipas të cilit, gjykata nuk duhet të lejojë ekstradimin e Goxhajt drejt Kosovës dhe më pas drejt Holandës.

“Natyra politike e çështjes ishte momenti i parë që ngritëm si shkak i refuzimit të ekstradimit. Momenti i dytë ishte se kur mungon një marrëveshje ekstradimi, e nënshkruar nga ministrja e Drejtësisë së Kosovës, një fashiklull ekstradimi duhet të ketë një kërkesë të firmosur nga autoriteti qendror.

Momenti i tretë, Dritani kërkohet për tu ekstraduar drejt Holandës dhe jo drejt Kosovës. Një raport ekstradues ka një parim të shenjtë në ndërtimin e tij, e drejta e truallit dhe individi që premtohet për t’u dërguar në vendin kërkues do të duhet të çohet brenda kufirit gjeografik të atij vendi, i cili për Republikën e Kosovës, të paktën ne si të Shqipërisë, e kemi të mirëpërcaktuar. Nuk ëahtë territori i Holandës, territor i Kosovës. Edhe për këtë gjë do të duhej refuzohej ekstradimi.

Momenti i katërt është ajo që quhet kriminalizimi i dyfishtë, pra vepra që adresohet Dritanit, është e papërcaktuar. Pse përbën një fakt penal një publikim i tillë në Facebook. Më e rëndësishme, gjykata që e kërkon nuk ka as kompetencën për këtë vepër. Gjykata Speciale e Hagës për krimet në Kosovë ka një juridiksion të kufizuar, pra vetëm për vepra të caktuara dhe vetëm në një periudhë kohore të caktuar. Për këto katër momente duhet të kishte një reagim të Prokurorit.“, theksoi avokati.

Gazetari Ermal Vija raportoi se në sallën e gjyqit ishte edhe një prokuror ndërkombëtar, i cili mbron kërkesën për ekstradim. Kujtojmë se ish luftëtari i UÇK-së, Goxhaj u arrestua me 31 korrik në Tiranë dhe dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Kosovës.

Goxhaj është djali i ish-zëvendës shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!