Ukraina kritika ndaj Gjermanisë: Nuk e kuptojmë pse po vononi dërgimin e raketave, po humbim kohë

schedule16:33 - 11 Shtator, 2023

schedule 16:33 - 11 Shtator, 2023

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha të hënën se nuk e kupton pse Gjermania nuk ka dhënë dritën jeshile për dërgimin e raketave të lundrimit Taurus në Kiev, ndërkohë që kundërofensiva ukrainase ka nisur prej muajsh.

“Është vetëm çështje kohe dhe nuk e kuptoj pse po humbim kohë,” tha Kuleba në një konferencë për shtyp që dha së bashku me homologen e tij gjermane, Analena Burbock, e cila bëri një vizitë të papritur në Kiev.

“Ne i themi qeverisë gjermane: se ne i respektojmë diskutimet tuaja, procedurat tuaja, por për aq sa dimë për raketat Taurus, nuk ka asnjë argument kundër dërgimit të tyre në Ukrainë”, shtoi Kuleba. “Sa më shpejt të bëhet, aq më shumë do të vlerësohet. Është shumë e thjeshtë”, vazhdoi ministri ukrainas, në një kohë kur Kievi po i kërkon pamëshirshëm Perëndimit më shumë armë dhe pajisje për të dëbuar rusët nga territori ukrainas.

Burbock u tha gazetarëve se “sikurse me dërgesat e mëparshme që kemi bërë, të gjitha çështjet duhet të zgjidhen së pari.”

Gjatë vizitës së saj në Kiev, Burbock premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Ukrainën, në fushat ekonomike, ushtarake dhe humanitare dhe vlerësoi përparimin që vendi ka bërë në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Kjo është vizita e katërt e Burbok në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, në shkurt 2022.

Ukraina mori statusin e kandidatit për në BE një vit më parë dhe shpreson të fillojë negociatat zyrtare me Brukselin këtë vit. Burbok komentoi se Kievi ka bërë tashmë “përparim të mirë” në disa fusha, veçanërisht reformimin e sistemit gjyqësor, por ende “ka një rrugë të gjatë për të bërë” në luftën kundër korrupsionit endemik.

Burbok shprehu gjithashtu shqetësimin e saj për transferimin e detyruar të fëmijëve të vegjël nga Ukraina në Rusi, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin “nuk po ia arrin” t’ia dalë në përpjekjen e tij për të shtypur popullin ukrainas. “Asgjë nuk e justifikon këtë luftë në kurrizin e më të pafajshmëve, fëmijëve. Hapi i parë drejt paqes do të ishte që Putini t’i linte këta fëmijë të shkojnë në shtëpi”, tha ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!