Pas letrës së kreut të PD, Lulzim Basha, drejtuar bankave të nivelit të dytë për projektet e Partneritetit Publik-Privat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaron se financimi i të tilla projekteve bëhet sipas kritereve specifike dhe nuk përbëjnë asnjë rrezik.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i është përgjigjur publikisht letrës së kryedemokratit Lulzim Basha drejtuar bankave të nivelit të dytë për mos financimin e projekteve të partneritetit publik privat. Guvernatori Sejko tha se për këto projekte ka kritere specifike të vendosura nga bankat dhe nuk përbëjnë rrezik për ekonominë.
Edhe për shqetësimin e dytë të kreut të PD, lidhur me parandalimin e pastrimit te parave, guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dyte kane rregullore dhe sisteme kontrolli për menaxhimin e këtij risku dhe nuk ka asnjë indicie për të tilla veprimtari në këto institucione financiare.
Në konferencën për vendimmarrjen e politikës monetare, kreu i Bankës së Shqipërisë tha se luhatjet e kursit të këmbimit nuk kanë pasur efekt negativ ne ekonomi dhe pas sezonit veror kursi po shkon drejt normalizimit.
Por i kundërt ka qenë efekti në ekonomi nga mbyllja e lojërave të fatit. Në tremujorin e dytë të vitit sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ekonomia është rritur me 2.3%. sektorët që kanë ndikuar më shumë në këtë rritje janë bujqësia, energjia dhe ndërtimi./ABC News Albania 24/7