Mund të thuhet me plot gojë, se “gjigandët” francezë të Paris Saint-Germain kanë kryer një prej merkatove më të mirë të verës në historinë e klubit, ku kanë arritur të afrojnë emra të talentuar si Randal Kolo Muani, Ousmane Dembele e Goncalo Ramos.
Mirëpo, në listën e të transferuarve është dhe ish-qendërmbrojtësi i Inter, Milan Skriniar, i cili u afrua te “parisienët”, si një lojtar i lirë dhe tani sllovaku është kthyer në një pjesë kyçe të formacionit, me tekniku Luis Enrique që duket të ketë shumë besim te sllovaku.
Për “aventurën” e tij të re, “kollosi” i mbrojtjes ka vendosur të flasë vetë, teksa për mediat këtë të martë që sapo lamë pas është shprehur se është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të bërë të lumtur tifozët e kryeqytetasve francezë.
“Jam i lumtur sepse tani ndjehem mirë fizikisht, ndeshjet e para me PSG nuk shkuan ashtu siç ne ndëshironim. Por, trajneri Enrique gjithnjë na ka komplimentuar për paraqitjen dhe së fundmi jemi rikthyer te rezultatet pozitive.
Jam i bindur se skuadra do të vijë në rritje përgjatë sezonit. Dua të luaj sa më shumë sepse kam si objektiv të bëj të lumtur tifozët e PSG dhe të vërtetoj se kam çfarë t’i jap këtij klubi”,- u shpreh Skriniar. /i.m /abcnews.al