Eksperienca kushton shumë në Champions League. Atalanta zhvilloi një ndeshje pozitive përballë Shakhtar Donetsk në “shtëpi”, por në fund u trondit nga goli i Solomon. Ekipi nga Bergamo vinte nga humbja përballë Dinamos në Zagreb, por forma e mirë në kampionat i jepte besim në sfidën e sotme.
Josip Ilicic pati shansin të kalonte ekipin e tij në avantazh në minutën e 16-të, por dështoi nga pika e penalltisë. Goditja e sllovenit u prit nga Pyatov, por Atalanta nuk u ndal.
Ekipi i Gasperinit tentoi sërish dhe Duvan Zapata dërgoi tifozët zikaltër në festë pas 12 minutash. Një krosim i bukur i Hateboer u kthye në gol nga bomberi kolumbian, i cili u ndihmua nga dalja e pasigurt e portierit ukrainas.
Miqtë reaguan dhe ia dolën të barazonin pak para fundit të pjesës së parë. Moraes mori një asist të bukur nga Alan Patric, shmangu Gollinin dhe barazoi ndeshjen. Zapata pati sërish mundësinë për të shënuar në pjesën e dytë, por shpërdoroi pasimin fantastik të kapitenit Gomez. Ekipi i Gasperinit u hodh në sulm në minutat shtesë, diçka që rezultoi fatale.
Shakhtari zhvilloi një kundërsulm të shpejtë në minutën e pestë shtesë dhe shfrytëzoi kaosin e vendasve. Një lojtar i Atalantës u dëmtua, por askush nuk e ka mendjen për “fair-play” në ato momente. Dodo dhe Solomon, të cilët kishin hyrë në fushë si zëvendësues, shfrytëzuan në maksimum shansin e fundit. Izraeliti gjeti golin e artë të fitores, duke sjellë trishtim në shkallët e stadiumit San Siro.
Përfundimisht 1-2, me Shakhtarin që barazon Dinamo Zagreb me 3 pikë, ndërsa Atalanta e Gjimshitit (e ndoqi takimin nga stoli) mbetet në kuotën e zero pikëve. /abcnews.al
Atalanta – Shakhtar Donetsk 1-2
(Zapata 28’ / Moraes 41’, Solomon 90+5’)