Plotësohen grupet e Champions League, Milan e PSG takohen në “grupin e ferrit”

schedule18:52 - 31 Gusht, 2023

schedule 18:52 - 31 Gusht, 2023

Ka përfunduar në Montecarlo hedhja e shortit të fazës së grupeve të UEFA Champions League, ku padyshim grupi i “ferrit”, mund të quhet ai i grupit F, ku ndodhen PSG, Borussia Dortmund, “kuqezinjtë” e Milan dhe “bardhezinjtë” e Newcastle.

Kështu, në grupin A, “bavarezëve” të Bayern Munich do t’i bashkohen “djajtë e kuq” të Manchester United, ku pritet një përballje e “magjishme” mes këtyre dy skuadrave, danezët e Copenhagen dhe “luanët” turq të Galatasaray.

Në grupin B, “andaluzianët” e Sevilla do të përballen me “topçinjtë” e Arsenal, në rikthimin e këtyre të fundit në fazën e grupeve të UEFA Champions League, holandezët e PSV Eindhoven dhe francezët e Lens.

Në grupin C, kampionët e Serie A, Napoli kanë në grupin, “mbretërit” e këtij kompeticioni, Real Madrid, portugezët e Braga dhe gjermanët e Union Berlin.

Në grupin D, “shqiponjat” e Benfica do të presin nënkampionët e Evropës, Inter, austriakët e Salzburg dhe spanjollët e Real Sociedad.

Në grupin E, kampionët e Eredivisie, Feyenoord do të kenë si rival “los colchoneros” të Atletico Madrid, “shqiponjat” romake të Lazio dhe kampionët skocezë të Celtic.

Në grupin F, “gjigandët” francezë të PSG do të mirëpresin “verdhezinjtë” e Borussia Dortmund, “kuqezinjtë” e Milan dhe “bardhezinjtë” e Newcastle.

Në grupin G, kampionët e Evropës, Manchester City do të kenë në grupin e tyre, rivalët e fazës së 1/8-ve në Champions League, RB Leipzig, serbët e Crvena Zvezda dhe zviceranët e Young Boys.

Në grupin H, “katalanasit” e Barcelona presin në grupin e tyre “dragonjtë” e Porto, ukrainasit e Shakhtar Donetsk dhe belgët e Antwerp, ku aktivizohet dhe “bomberi” i Kombëtares sonë, Arbnor Muja. /i.m /abcnews.al