Apeli i princit saudit: Ndaloni Iranin që të shpëtoni naftën!

schedule18:06 - 30 Shtator, 2019

schedule 18:06 - 30 Shtator, 2019

Princi saudit Mohamed Bin Salman i ka kërkuar gjithë botës që të veprojë kundër qasjes agresive të Iranit, në të kundërt ka paralajmëruar se do të vihet në rrezik furnizimi me naftë.

Në një intervistë për mediat amerikane, princi i kurorës ka pranuar pjesërisht përgjegjësinë për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi.

Princi saudit i kurorës, Mohamed bin Salman ka paralajmëruar mbarë botën se çmimet e naftës mund të rriten ndjeshëm nëse nuk veprohet për të ndaluar Iranin.

Salman ka deklaruar se mungesa e një ndërveprimi mund të inkurajojë më tej Teheranin dhe madje të çojë në një luftë, që sipas tij do të shkatërronte ekonominë globale.

Deklarata e princit ka ardhur pak javë pas sulmit ndaj impianteve saudite të naftës, për të cilat ai fajëson Republikën Islamike.

Kjo e fundit nga ana e saj ka deklaruar se këto fjalë vetëm sa i sjellin turp Arabisë Saudite dhe familjes së saj mbretërore.

Në reagimin e tij, Mohamed bin Salman tha gjithashtu se pranon pjesërisht përgjegjësinë për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi, por duke folur për SI BI ES, ai mohoi që ta ketë urdhëruar atë personalisht.

Princi, që konsiderohet udhëheqësi de fakto i Arabisë Saudite, dyshohet se e ka vënë në shënjestër personalisht gazetarin saudit, që me shkrimet e tij kritikonte qeverisjen në Riad.

“Marr përsipër përgjegjësi të plotë si lider i Arabisë Saudite, nisur nga fakti se vrasja u krye nga individë që punonin për qeverinë saudite”, deklaroi Salman.

Autoritetet saudite kanë fajësuar për vrasjen e gazetarit një grup agjentësh rebelë të shërbimeve sekrete saudite dhe kanë çuar në gjyq 11 persona./ABC News Albania 24/7