Çupi: Mazniku mashtroi lidhur me pagesën e faturave të hotelit

schedule15:10 - 30 Shtator, 2019

schedule 15:10 - 30 Shtator, 2019

Partia Demokratike vijoi sërish akuzat ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke thënë se ka dokumente, që vërtetojnë mashtrimin jo vetëm të Arbian Maznikut, por edhe të kryetarit Erion Veliaj.

Deklaratë Partia Demokratike, Dhurata Çupi

Nën drejtimin e Erion Veliajt, Bashkia e Tiranës është shndërruar në shërbëtore të oligarkëve, kundër interesit publik. Bashkë me ta, ajo grabit çdo pasuri të qytetit, zhduk lulishtet e gjelbëruara për të ngritur përbindëshat e betonit. Bashkë me ta dhe për ta, shpërdoron miliona euro nga taksat që Erion Veliaj ka rritur për familjet dhe bizneset e Tiranës.

Përfitimi nga grabitja e përbashkët e kryeqytetit është konkretizuar shumë qartë për qytetarët e e Tiranës në rastin e kompanisë Fusha, pronari i të cilës i ka paguar nënkryetarit të Bashkisë me kartën e vet të kreditit 907 euro natën në një hotel në Barcelonë.

Afera e paligjshme dhe korruptive është duke u hetuar pas denoncimit të Partisë Demokratike, por hetimet nuk janë të plota.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret gjithashtu nën hetim. Partia Demokratike ka zbuluar fakte zyrtare që provojnë se Bashkia e Tiranës ka mashtruar opinionin publik për paratë që u përdorën në udhëtimin e Brcelonës.

Pas zbulimit të skandalit për pagesën 1816 euro me kartën e kreditit të pronarit të kompanisë Fusha, Bashkia e Tiranës deklaroi për Zërin e Amerikës se “nuk ka shpenzuar fonde të Bashkisë për udhëtimin në Barcelonë. “

E vërteta është krejt tjetër.

Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik provon se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe Kryetari Erion Veliaj.

Në reagimin për Zërin e Amerikës, për të justifikuar pagesën prej 1816 euro të hotelit të Maznikut prej kompanisë Fusha, Bashkia deklaroi se të gjitha shpenzimet e udhëtimit i pagoi kjo kompani që ndërtoi sheshin Skëndërbej.

Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik është një provë e mashtrimit flagrant që Erion Veliaj u ka bërë qytetarëve të Tiranës, duke i gënjyer ata dhe median për udhëtimin luksoz dy ditor në Barcelonë.

Duke mashtruar për të mbuluar shkeljen e ligjit nga Mazniku dhe Fusha, i cili ka marrë 110 milionë euro me tendera publikë, Erion Veliaj është zbuluar si një shërbëtor i oligarkëve, që punon për interesin e tyre dhe jo të qytetarëve. /abcnews.al