I është dhënë lamtumira e fundit ish-Presidentit francez Jacques Chirac, ndërkohë që e sotmja ka qenë një ditë zie në vend. Të pranishëm në ceremoni ishin liderë nga e gjithë bota mes të cilëve dhe kryeministri shqiptar Edi Rama si dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Putin dhe krerë të tjerë shtetesh i janë bashkuar presidentit Emmanuel Macron për meshën solemne në Sant Sulpic, pasi me mijëra njerëz një ditë më parë mbajtën radhë për të shprehur homazhet, pavarësisht reshjeve të dendura për ish-presidentin francez Jacques Chirac. Të pranishëm në ceremoninë e sotme kanë qenë dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama si dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

E sotmja ka qenë një ditë zie në Francë, flamujt u ulën në gjysmë shtizë dhe në të gjitha institucionet publike dhe shkolla u mbajt një minutë heshtje. Flamuj në gjysmë shtizë dhe përpara ndërtesës së Komisionit Europian si dhe para Parlamentit Europian në Bruksel.
Homazhet për ish-kreun e Elizesë do të vazhdojnë deri të mërkurën kur skuadra franceze e regbit do të mbajë një shirit të zi në shenjë zie gjatë ndeshjes për kupën e botës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Chirac u vendos në varrezën e Montparnase, pranë vajzës së tij Lorence, e ndarë nga jeta në vitin 2016.

Jacques Chirac është një nga politikanët më të rëndësishëm në Francë në disa dekada. Ai ka shërbyer për 2 mandate si President i Republikës nga viti 1995-2007. Një nga vendimet më të spikatura të Chirac si kryetar i shtetit ishte dhe ai i kundërshtimit të vendimit të SHBA dhe vendeve aleate për të sulmuar ushtarakisht Irakun në vitin 2003.

Po ashtu Chirac ka shërbyer si kryeministër i Francës në vitet 1974-1976 dhe 1986 – 1988. Në karrierën e tij politike shënohet edhe detyra e ministrit në disa kabinete qeveritare në Francë. Po ashtu ka qenë kryetar i bashkisë së Parisit për një kohe të gjatë, nga viti 1977 deri në 1995-ën, kur u zgjodh President i Republikës./ABC News Albania

