Një 26 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Morinës pasi akuzohet se po tentonte të trafikonte armë zjarri në drejtim të vendi tonë.
Sipas policisë në kuadër të operacionit policor të kodur “Transcendence”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është bërë i mundur kapja e 26 vjeçarit që tentoi të fuste në Shqipëri, 2 armë zjarri pistoleta.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, në Shkodër, Policia gjeti një tjetër armë zjarri, municion luftarak, sasi dhe fara të cannabis sativës. Sekuestrohen 3 armët e zjarrit pistoleta, fishekë luftarak, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 400 fara të cannabisit dhe 2 targa.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al