Pesë ditë pasi avioni i pasagjerëve, Embraer 600, – i lidhur me Yevgeny Prigozhin – u copëtua dhe u përplas për toke në veri të Moskës, hetuesit rusë konfirmuan vdekjen e themeluesi të Grupit Wagner.
Më 27 gusht, Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi se në bazë të analizave gjenetike, është konfirmuar identiteti i të gjithë personave që gjendeshin në listën e pasagjerëve të avionit. Më herët, autoritetet ruse kishin thënë se emri i Prigozhinit ishte në listën e dhjetë personave që ishin në bordin e avionit.
Megjithatë, shkaku i rrëzimit të avionit ende nuk është përcaktuar.
Ndërkaq, në komentet e bëra më 24 gusht, presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeroi se Prigozhin kishte vdekur, pasi foli për të në kohën e shkuar, duke kujtuar takimin e tyre të parë në vitet ’90 në Shën Petersburg dhe duke e komplimentuar për arritjet në biznes. Megjithatë, lideri rus tha se Prigozhin kishte bërë “gabime serioze në jetë”.
Por, nuk ka shumë qartësi për pasojat që do të prodhojë vdekja e Prigozhinit për Rusinë dhe Putinin, por edhe për komandantët ushtarakë të Moskës dhe për luftën në Ukrainë, apo dhe për Wagner-in dhe ata që bëjnë thirrje për një pushtim edhe më agresiv.
Në këtë tekst mund të mësoni për pesë gjërat që mbeten të shihen në ditët dhe javët në vijim.
Putin: Më i fortë apo më i dobët?
Rebelimi, që Prigozhini kreu dy muaj para se avioni i biznesit të tij të rrëzohej, ishte sfida më e madhe me të cilën Putini është përballur si figura kryesore politike e Rusisë. Drejtori i CIA-s, e kishte cilësuar rebelimin si “sulmin më të drejtpërdrejt ndaj shteti rus në 23 vjetët në pushtet të Vladimir Putinit”.
Edhe pse i quajti kryengritësit tradhtarë dhe rebelimin një “thikë pas shpine”, Putin bëri pak ose asgjë – të paktën publikisht – për t’u hakmarrë ose për t’i ndëshkuar ata që kryen rebelimin. Disa ditë më pas, ai ishte takuar me Prigozhinin dhe me disa kryengritës të tjerë në Kremlin. Dhe Prigozhini mbeti i lirë, duke udhëtuar në Rusi dhe Bjellorusi dhe madje u shfaq edhe në Afrikë, ku ai kishte një perandori biznesi në rritje.
Shto këtu edhe përqeshjen publike që Prigozhin ia kishte bërë për muaj të tërë komandantëve të luftës së Putinit. Për vëzhguesit e kamotshëm të Kremlinit, presidenti rus – i cili në të kaluarën ka shfaqur pak mëshirë për personat që i ka konsideruar tradhtarë, sikurse Aleksandr Litvinenko dhe Sergei Skripal – u shfaq i dobët.
“Mungesa e sinjaleve të qarta për ndëshkimin e Prigozhinit… u interpretua si shenjë e pafuqisë dhe dobësisë së sistemit”, shkroi më 24 gusht, Aleksandr Baunov, analist në Carnegie Endowment for International Peace.
Prigozhin vdiq, jo nga ndonjë helm i fuqishëm, nuk u vra në ndonjë sulm me dronë, me makinë bombë, por nga shkatërrimi spektakolar i avionit të biznesit të tij. Edhe pse Kremlini ka mohuar përfshirjen, rrëzimi i avionit – në të cilin autoritetet thanë se gjendeshin dhjetë persona– po lidhet me diçka që ndodh vetëm në filmat për mafinë.
“Sikurse në filmat për mafinë: Fraksionet ndërluftuese dhe bosët e tyre mblidhen së bashku që të vrasin të tjerët dhe t’i nxjerrin nga loja, aspo sikurse në The Godfather, që pajtohen me njëri-tjetrin para se të shkatërrojnë tjetrin”, shkroi Baunov.
Megjithatë, ende ka kërcënime për Putinin. Në mesin e elitës ruse ka dyshime në rritje lidhur me vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe për mënyrën se si ai po e zhvillon luftën. Ekonomia e Rusisë, që është rënduar nga shpenzimet e luftës, ka nisur të tregojë shenja të tendosjes. Putin pritet ta fitojë një mandat të ri gjashtëvjeçar gjatë zgjedhjeve të marsit, por ngecjet në luftë dhe paqartësia për të ardhmen mund t’ia bëjnë fushatën zgjedhore më të ndërlikuar sesa ai do të donte.
Por, vdekja e njeriut që haptazi e sfidoi Putinin është një sinjal i pagabueshëm për ata që mund të mendojnë se mund ta sfidojnë presidentin dhe paraqet një formë “të dëshmisë kundër një grusht shteti” ndaj sundimit të tij, të paktën tani për tani. Por, kjo mund të ketë një kosto të kushtueshme për Putinin, në terma afatgjatë.
“Me vrasjen e Prigozhinit, Putin arriti një fitore afatshkurtër në konsolidimin e pushtetit në shtëpi”, shkroi Michael McFaul, ish-ambasador amerikan në Rusi. “Në terma afatgjatë, megjithatë, pasojat negative për aftësinë e Putinit që të arrijë objektivat e politikës së jashtme, veçmas në Ukrainë, mund të tejkalojnë përfitimet afatshkurtra”.
“Nga këndvështrimi i Putini, por edhe i shumë shërbimeve të sigurisë dhe ushtrisë, vdekja e Prigozhinit duhet të jetë një mësim për çdo ndjekës potencialë”, shkroi në Telegram, Tatyana Stanovaya, eksperte e kamotshme e politikave të Rusisë.
“Vdekja e Prigozhinit paraqet kërcënim të drejtpërdrejt për këdo që ka qëndruar me të deri në fund ose hapur e ka mbështetur atë. Kjo ka më shumë gjasa që t’i frikësojë ata sesa t’i inspirojë që të protestojnë”, shkroi ajo. “Prandaj, asgjë e posaçme, në kuptim të reagimit, nuk duhet të pritet. Do të ketë hatërmbetje dhe shkëputje, por jo edhe pasoja politike”.
Lufta është ferr. Por, çfarë do të ndodhë me “operacionin e posaçëm ushtarak”?
Luftëtarët e Wagner-it të Prigozhinit kanë luajtur një rol kyç në fushëbeteja në disa lokacione në Ukrainë gjatë 18 muajve të fundit. Forcat e Wagner-it ishin të përfshira në rrethimin e qytetit-port të Maripolit në Donbas pranverën e vitit 2022 dhe po ashtu ishin pararojë e sulmit 10-mujor në Bahmut, që ra nën kontrollin e forcave ruse në muajin maj.
Prigozhin ishte siguruar që rusët të dinin për praninë dhe për sakrificat e tyre – jo vetëm për ushtarët e dëshmuar në fushëbetejë, por edhe për mijëra të dënuar që ai rekrutoi nga burgjet dhe i dërgoi në vijën e frontit.
Por, forcat e Wagner-it ishin vetëm një fraksion i vogël i qindra mijëra trupave të dislokuara ruse, të cilët tani po përballen me një kundërofensivë të ngadalshme, por të pamëshirshme ukrainase, që Kievi shpreson se do të jetë vendimtare për të kthyer rrjedhën e luftës në favor të tij.
Në fushëbetejë, performanca e Rusisë ka pak të ngjarë që të ndikohet në mënyrë të konsiderueshme nga paqartësia brenda Wagner-it, thanë analistët. Kremlini veçse po tenton që të vendosë trupat e tij nën një komandë më zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, proces që ka të ngjarë që të përshpejtohet.
“Në fund të fundit, lideri rus ka qenë në gjendje të luftojë atë luftë për 18 muaj dhe të pengojë përpjekjen e Ukrainës që të çlirojë më shumë territor dhe kjo ka ndodhur jo për faktin e ndonjë performance të mirë të Wagner-it në fushëbetejë”, shkroi për Financial Times, Aleksandr Gabuev, drejtor i Qendrës së Rusisë në Carnegie, institut me seli në Berlin. Ai tha se kjo ka ndodhur “për shkak të burimeve të shumta që Qeveria mund të mobilizojë, për shkak të aftësisë së njerëzve që ndihmojnë ta mbajnë gjallë ekonominë ruse dhe për shkak të pozicionit të pasfiduar që Putini ka brenda shtetit”.
Në nivelet më të larta të komandës, megjithatë, vdekja e Prigozhinit do të mundësojë që forcojnë pushtetin dy persona: ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjenerali Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm.
Por, një gjë mund ta përndjekë Putinin dhe komandantët e tij: Kritikat të cilat Prigozhini dhe aleatët e tij i kanë bërë ndaj ministrit Shoigu dhe gjeneralit Gerasimov për udhëheqjen e luftës në Ukrainë dhe vendimeve sa i përket luftimeve.
A do të ngrihen në këmbë nacionalistët?
Ekspertët kanë spekuluar se një prej shumë arsyeve pse Prigozhini arriti të qëndrojë në pushtet ishin kritikat ndaj Shoigut dhe Gerasimovit. Themeluesi i Wagner-it shpesh shprehu ankesat e ushtarëve që pësuan për shkak të problemeve institucionale në strukturën e ushtrisë ruse.
Kritikat kryesore të Prigozhinit kishin të bënin se si Kremlini ka kriminalizzar kritikat publike për përpjekjet e luftës në Ukrainë, sipas ligjit të ri për “diskreditimin e forcave të armatosura të Federatës Ruse”. Dhjetëra rusë që kanë kritikuar apo kundërshtuar luftën janë burgosur – por, Prigozhini nuk u burgos.
Vdekja e liderit të Grupit Wagner eliminon kritikën më të zëshme publike, por dyshimet nëse Shoigu dhe Gerasimov do të vazhdojnë të mbeten në postet që kanë, do të amplifikohen nëse Ukraina arrin sukses të madh në kundërofensivën e saj.
Prigozhin nuk ishte i vetmi që ishte ankuar. Igor Girkin, ish-oficer i inteligjencës, i cili u dënua nga një gjykatë holandeze për rolin e tij në rrëzimin e fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në Ukrainë më 2014, po ashtu njihet për kritika të ashpra publike. Sikurse Prigozhin, edhe Girkin kishte kërkuar që komandantët, dhe përfundimisht edhe Putini, të shpallnin mobilizim të përgjithshëm dhe të përdornin më shumë forcë ndaj Ukrainës. Në korrik, Girkin e quajti Putinin një “frikacak të padobishëm”.
Girkin u arrestua në korrik nën akuza për ekstremizëm – disa ditë pasi bëri këtë deklaratë – dhe aktualisht gjendet në burgun famëkeq Lefortovo të Moskës, teksa po pret të kryhen hetime të mëtejme dhe më pas të nisë gjykimi ndaj tij.
Është e paqartë nëse ai është heshtur krejtësisht. Mesazhe të koduara janë shfaqur në kanalin e tij në Telegram më 24 gusht. Në to Prigozhini u cilësua “armik i Rusisë” dhe ai bëri thirrje për trazira politike.
“Nuk mund të them se jam i mërzitur, pasi Prigozhin nuk ishte vetëm armiku im, por po ashtu edhe i Rusisë”, shkruhej në postim. “Në të njëjtën kohë, ajo çfarë ka ndodhur nuk mund të pasohet me reagim pozitiv nga unë, pasi është dëshmi e mëtejme për thellimin e trazirave në Rusi”.
Po Wagner-i?
Kompanitë private ushtarake zyrtarisht janë ilegale sipas ligjeve ruse. Por, ky fakt nuk i ka ndalur afaristët që t’i themelojnë ato – me mbështetjen, financimin dhe mbikëqyrjen e agjencive të ndryshme të inteligjencës apo edhe përmes operacioneve të kontrolluara nga shteti.
Wagner ishte grupi më i famshëm dhe më famëkeq mercenar, me luftëtarët e tij që kanë zhvilluar luftime në shtete sikurse Mali, Republika e Afrikës Qendrore, Sudani, Libia dhe Siria – por edhe në Ukrainë në vitet pasi Moska ndihmoi luftën që nisi në Donbas më 2014.
Rritja e grupit gjerësisht është parë si funksion i strukturës së tij unike. Wagner gjeneron të ardhura të majme nga bizneset sikurse mihja dhe trafikimi i arit në Republikën e Afrikës Qendrore. Po ashtu gjeneron të ardhura nga ofrimi i sigurisë për aleatët, sikurse mbrojtja e regjimit në Siri, shtet të pasur me naftë dhe gaz.
Ky funksion i fundit i shpërbeu si një zgjatje në politikën e jashtme ruse, duke ndikuar në politikat vendore dhe duke zgjeruar ndikimin e Moskës, veçanërisht në vendet ku mund të jetë në konkurrencë me Shtetet e Bashkuara apo Francën.
Për këtë arsye, pak ekspertë besojnë se Wagner do të shuhet krejtësisht. Luftëtarët e tij kanë fituar reputacion si luftëtarë të pamëshirshëm dhe me aftësi të mëdha në fushëbetejë.
Ashtu sikurse strukturat e tij ushtarake në Ukrainë mund të vihen nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, edhe bizneset e tij ka të ngjarë që të kenë një mbikëqyrës të ri – ndoshta nga agjencitë ruse të inteligjencës apo nga entitetet e tjera që kontrollohen nga shteti.
Megjithatë, Wagner-i mund të jetë një forcë më pak e fuqishme pa Prigozhinin. Kjo mund të hapë gjithashtu një mundësi për kompanitë e tjera ushtarake, gjoja private, që janë krijuar viteve të fundit. Disa prej tyre janë të lidhura ngushtë me shtetin rus.
Çfarë do të ndodhë me “gjeneralin Armageddon”?
Një figurë tjetër në këtë dramë shekspiriane është edhe komandanti rus i cili për disa muaj vitin e kaluar u vu në krye të luftës në Ukrainë: gjenerali Sergei Surovikin.
Siç sugjeron edhe nofka e tij – gjeneralin Armageddon – Surovikin, i cili po ashtu udhëhiqte forcat ajrore, ishte parë si një komandant i pamëshirshëm, që ishte një prej arsyeve pse udhëheqja e tij ishte lavdëruar nga Prigozhini, Girkini dhe të tjerët.
Pak pasi mori komandën e operacionit në Ukrainë në tetor, ai urdhëroi forcat ruse që të nisnin bombardimin e rrjetit elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër civile, me synim që të terrorizohej popullata dhe që Qeveria në Kiev të nënshtrohej.
Prigozhin besohet se ishte afruar me Surovikinin në vitin 2010, kur Surovikin shërbente si komandanti kryesor i forcave ruse në Siri. Luftëtarët e Wagner-it në atë kohë ishin në Siri, duke ruajtur ndërtesat e gazit dhe naftës siriane.
Megjithatë, Surovikin mbajti postin e komandantit në Ukrainë vetëm dy muaj dhe Putini e zëvendësoi atë me gjeneralin Gerasimov, personin që Pirgozhini e tallte.
Surovikin kishte aleatë në strukturat e mbrojtjes së Rusisë, në të cilët Prigozhin ishte mbështetur për t’u siguruar që trupat e tij që luftonin afër Bahmutit, të furnizoheshin siç duhet. Por, Prigozhin po ashtu ishte ankuar gjatë pranverës se nuk kishte pranuar municionin e duhur.
Kur Prigozhini nisi rebelimin e tij më 23 qershor, Surovikin u shfaq në një video të pazakontë, duke u bërë thirrje luftëtarëve të Wagner-it që të ulnin armët dhe të mos e vazhdonin rebelimin. Disa vëzhgues vunë në dyshim autenticitetin e thirrjes së tij, duke thënë se ai dukej se ishte detyruar të bënte atë video. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se Surovikin mund të ketë ditur paraprakisht për rebelimin.
Pasi përfundoi rebelimi, Surovikin u zhduk nga syri i publikut, dhe pas kësaj nisën të qarkullonin thashetheme se ai ishte arrestuar, se ishte nën arrest shtëpiak apo në burg.
Ka po ashtu dyshime se mund të ketë figura të tjera të strukturave ushtarake apo të inteligjencës që e dinin se rebelimi do të ndodhte, apo përkrahnin kryengritjen e Prigozhinit.
Më 22 gusht, mediat ruse raportuan se Surovikin ishte liruar nga komanda e forcave ajrore, por ishte lënë në “dispozicion” të Ministrisë së Mbrojtjes – dhe ndoshta ishte vendosur në një post tjetër brenda ushtrisë.
Por, në këto raportime, të cilat nuk janë konfirmuar ende, nuk thuhej se ai ishte arrestuar, ishte shkarkuar nga ushtria apo i ishte zbritur grada ushtarake.
Një ditë pas raportimeve për përgjegjësitë e reja të Surovikinit, avioni i Prigozhinit u rrëzua./REL