“Kurti tronditi raportet me SHBA”, opozita në Kosovë: Lobimi në Amerikë nuk e përmirëson imazhin e qeverisë

schedule16:40 - 26 Gusht, 2023

schedule 16:40 - 26 Gusht, 2023

Kontrata e nënshkruar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk pritet të ndikojë në përmirësim të imazhit të Kosovës. Opozita dhe shoqëria civile deklarojnë se marrëdhëniet e qeverisë me ShBA-të, janë në gjendjen më të keqe. Sipas tyre, Kosova nuk e ka luksin që të injorojë Amerikën, në mënyrën siç ka vepruar deri më tani.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi thotë se Kosova për herë të parë është në gjendje kaq të rëndë sa i përket politikës së jashtme.

Për herë të parë është një gjendje shumë e rëndë sa i përket politikës së jashtme. Me ardh në konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, me asnjë qeverisje paraprake të cilat kanë qenë. Mirëpo, ky kryeministër ka vendosur të shkojë kështu siç është duke shkuar. Nuk bën kështu, duhet të ulet dhe të dakordohet në mënyrë që Kosova të del nga ky qorr-sokak që është futur kjo qeveri”, tha Krasniqi.

Deputetja e LDK-së konsideron se nuk ka lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme, ka pretenduar se ka kontraktuar kompani për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes ShBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.

“Fatkeqësisht termi ‘lobim’ ka mbetur vetëm si term, sepse për arsye tash e tri vite ne nuk kemi pasur lobim sa i përket politikës së jashtme. Do të thotë kemi pasur vetëm stagnim, duke u nisur edhe nga gjendja në veri, e cila është bërë pa dakordim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kemi parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se nuk lobojnë për Kosovën derisa të dakordohen edhe të ulen dhe të zgjidhet situata në veri”, shtoi Krasniqi.

Edhe drejtoresha e “Lëvizjes Fol”, Mexhide Demolli shpreh skeptizimin e saj në lidhje me lobimin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Para se të kalojmë tek lobimet, ne duhet të shohim marrëdhëniet se si janë aktualisht mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht janë në gjendjen më të keqe që kanë qenë ndonjëherë që nga paslufta. Prandaj, dyshoj që një kontratë lobimi mund të rregullojë diçka më shumë se sa vet qasje e Qeverisë së Kosovës karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shprehet Demolli.

Muajve të fundit është raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kontraktuar dy kompani për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!