Nxënësit nga klasa e parë në të tretë dhe nga klasa e gjashtë në të shtatë këtë vit do të marrin libra të rinj pa pagesë. Parashikohet që prej kësaj nisme të përfitojnë rreth 110 mijë fëmijë.
Ndryshe nga nxënësit e klasës së gjashtë dhe të shtatë të cilëve tekstet shkollore iu rinovohen një herë në tre vjet më të vegjlit do të pajisen me libra të rinj çdo vit duke i dhënë zgjidhje kështu një prej ankesave të prindërve.
“Është një gjë shumë pozitive, sidomos për ciklin fillor ku nxënësit do të kenë mundësi të punojnë dhe me ngjyra dhe me stilolaps se ajo pjesa e fshirjes me laps haste goxha probleme në përdorimin e teksteve më vonë”, ka thënë Ines Rushiti, drejtoreshë e shkollës 9 vjeçare “Bashkim Fino”, Tiranë .
Librat e shkollës do ti marrin falas dhe fëmijë që vijnë nga familje të 16 shtresave sociale në nevojë.
“Komuniteti rom, egjiptian, familjet me ndihmë ekonomike, fëmijë me statusin jetim. Janë një sërë kategorishë të përcaktuara më ligj dhe jemi ne stafi pedagogjik i shkollës që do të ndërmarrë hapat që ata të pajisen me tekste falas”, ka thënë ajo.
Shpërndarja e teksteve do të bëhet në shkolla duke filluar nga 1 shtatori.
“Do të jetë mësuesi kujdestar që do ti shpërndajë tekstet tek prindi dhe nxënësi. Sipas udhëzimit duhet një javë para se të fillojë viti shkollor që të bëhet shpërndarja e teksteve, ne do të nisim që më datë 1 shtator dhe do të bëjmë një grafik të përcaktuar në mënyrë që të mos krijohet kaos dhe çoroditje tek prindërit dhe nxënësit. Ndaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të shkojnë në institucionet arsimore, të informohen aty”, është shprehur ndër të tjera ajo.
Shkolla nis më 11 shtator dhe përfundon më 14 qershor të vitit që vjen./abcnews.al