Të paktën 500 fëmijë kanë vdekur nga uria gjatë luftës katër mujore në Sudan, ka njoftuar organizata joqeveritare Save the Children. Drejtori i organizatës në Sudan, Arif Nur, theksoi në një deklaratë se fëmijët po vdesin nga uria në një kohë kur kjo mund të ishte shmangur plotësisht.
“Të paktën 498 në Sudan dhe ndoshta qindra të tjerë kanë vdekur nga uria që nga fillimi i luftës më 15 prill. Nuk mund ta imagjinonim kurrë se do të shihnim kaq shumë fëmijë të vdisnin nga uria, por ky është realiteti i ri në Sudan”, tha ai.
Dhe situata mund të përkeqësohet pasi Save the Children, në pamundësi për të vepruar në mes të konfliktit , është detyruar të ndalojë ndihmën për 31,000 fëmijë që vuajnë nga kequshqyerja. Në maj, u shkatërrua fabrika që prodhonte 60% të produkteve për të trajtuar kequshqyerjen e fëmijëve.
Lufta, për të cilën analistët thonë se ka të ngjarë të zgjasë me vite, midis ushtrisë së rregullt të Sudanit dhe Forcës së Mbështetjes së Shpejtë ka vrarë 5,000 njerëz që nga prilli, sipas një raporti nga OJQ-ja Projekti i të Dhënave të Konflikteve të Armatosura dhe Ngjarjeve (Acled)./abcnews.al