Një vajzë boshnjake po bën kostume tradicionale ballkanike, shami koke dhe aksesorë dekorativë për kukullat Barbie. Duke shfrytëzuar jehonën e filmit “Barbie” që ka pushtuar kinematë botërore, 11 vjeçarja nga Bosnje-Hercegovina shpreson të tërheqë vëmendjen tek versioni folklorik i kukullës ikonë.
Esma Gljiva filloi projektin më shumë se një muaj më parë, pasi kishte parë figura të cilësisë së dobët në një dyqan. “Këto ishin disa kukulla të veshura me kostume folklorike, nuk i ngjanin aspak të vërtetave, nuk ishin fare të veshura siç duhet,” tha Esma për Reuters duke treguar kukulla të reja nga koleksioni i saj.
Esma nuk e ka parë ende filmin Barbie, por miqtë dhe familja e saj thonë se ajo mishëron frymën e pavarësisë dhe sipërmarrjes femërore që dominon filmin. E rritur në një familje kërcimtarësh të folklorit, Esma ka mësuar shumë për traditat multifetare të Bosnjës dhe është vetë anëtare e një grupi folklorik vendas.
Ajo thotë se do t’i emërtonte kukullat e saj “kukullat Barbie boshnjake” dhe po planifikon kostume për një Ken folklorik boshnjak. Esma merr porosi për kukullat e saj çdo ditë dhe i ka dërguar në Bullgari, Çeki, Turkmenistan, Norvegji, Britani dhe shumë vende të tjera./abcnews.al