Zbulim i rrallë në Ulpianë/ Mbishkrimi latin i perandorit Justinian për vendin e tij të origjinës

schedule19:50 - 16 Gusht, 2023

schedule 19:50 - 16 Gusht, 2023

Një mbishkrim i zbuluar në lokalitetin arkeologjik Ulpiana tregon përkushtimin e perandorit Justinian ndaj vendit të tij të origjinës. Mbishkrimi latin është gjetur në strukturat e një prej kishave më të mëdha të zbuluara deri tani në Ballkan, e që është ndërtuar nga perandori me prejardhje dardane.

Sipas arkeologëve, mbishkrimi i zbuluar tregon rëndësinë që perandori i kishte kushtuar qytetit të Ulpianës. Pwrveç ndërtimit të qytetit, perandori Justinian dhe gruaja e tij kishin ndërtuar disa kisha, një prej të cilave bën pjesë në zbulimin e fundit të arkeologëve në Kosovë.

Christophe Goddard, përfaqësues i “Ecole Normale Superieure” nga Parisi, dhe i cili drejton laboratorin “Aoroc”, thotë se për herë të parë mund të shihet me sy përkushtimi i perandorit Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.

 “Ajo që është e re është se për herë të parë kemi një përkushtim nga ky Perandor i madh dhe gjëja tjetër që dimë pwr kwtw  perandor është se ai ishte shumë i lidhur me krahinën e tij të lindjes. Ai lindi këtu, familja e tij ishte nga Dardania, nga vendi i vogël i quajtur Tarazona Skupi. Kwsaj ndërtesë,  ai i  dha emrin e tij, Justiniana Seconda. Kjo  tregon qartë se sa i lidhur ishte ai me qytetin” tha Goddard.

E profesori universitar i arkeologjisë, Arben Hajdari, i cili është edhe bashkëdrejtues i projektit, tregon detaje se si kanë arritur deri të ky zbulim.

Kemi filluar gërmimet arkeologjike të cilat kanë konfirmuar rezultatet e incizimeve gjeofizike dhe ne kemi arritur me zbulu mbetjet e një bazilike madhështore, ndër më të mëdha që është zbuluar ndonjëherë në Ballkan, ndërtuar nga perandori Justinian në shekullin e gjashtë. Gjatë këtij viti kemi vazhduar kampanjën e radhës dhe ideja ka qenë që të ndjekim planimetrinë e bazilikës dhe pastaj kemi zbuluar edhe një mbishkrim i cili ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, historike, dhe sipas meje për nga pesha historike paraqet zbulimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë ose në arkeologjinë kosovare”, thotë ai.

Ai tregon se mbishkrimi konfirmon disa të dhëna historike që kanë të bëjnë me Ulpianën dhe Dardaninë.Sipas tij, kjo është e rëndësishme sepse tregon që perandori Justinian, bashkë me gruan e tij Teodorën, kishin marrë vendim për të rindërtuar qytetin, të cilin e kishin quajtur Justiniana Secunda.