Talibanët afganë festojnë dyvjetorin e kthimit në pushtet

schedule15:17 - 15 Gusht, 2023

schedule 15:17 - 15 Gusht, 2023

Talibanët e kanë shënuar përvjetorin e dytë të kthimit në pushtet në Afganistan, duke festuar në Kabul, prej ku kanë pretenduar se e kanë kthyer sigurinë në gjithë shtetin sipas sistemit islamik.

Teksa forcat e huaja, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë përgatitur për t’u tërhequr nga Afganistani, talibanët kanë hyrë në kryeqytetin afgan më 15 gusht 2021, veprim që ka rezultuar me shpërbërje të ushtrisë afgane dhe ikje të presidentit të atëhershem Ashraf Ghani nga shteti.

“Në përvjetorin e dytë të marrjes së Kabulit, ne dëshirojmë të përgëzojnë kombin tonë muxhahid të Afganistanit dhe kërkojmë të falënderoni Allahun për këtë fitore të madhe”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid, përmes një deklarate.

Ai ka pretenduar se Afganistani është duke e shijuar paqen që nuk është përjetuar me dekada, mirëpo Kombet e Bashkuara kanë thënë se kanë regjistruar dhjetëra sulme ndaj civilëve – disa besohet se janë kryer nga rivalët e talibanëve brenda shtetit.

Për shumë gra, të cilat kanë gëzuar shumë liri përgjatë dy dekadave të prezencës së forcave perëndimore në këtë shtet, kthimi i talibanëve në pushtet ka qenë goditje e madhe.

“Janë bërë dy vjet prej kur talibanët janë kthyer në Afganistan. Dy vjet prej kur është përmbysur jeta e grave dhe vajzave, të drejtat e dhe e ardhmja e tyre”, ka thënë Amina Mohammed, zëvendës-sekretare e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një deklarate.

Masat e sigurisë kanë qenë të ashpra të martën në Kabul, ditë e shpallur festë kombëtare.

Luftëtarët talibanë, mbështetësit dhe disa banorë të Kabulit, janë mbledhur nëpër rrugë dhe kanë ecur me makina ngadalë.

“Sot kam ardhur për të festuar përvjetorin e dytë të talibanëve. Ka qenë dita kur armiku i Afganistanit është dëbuar nga shteti ynë, prandaj kam ardhur të festoj”, ka thënë banori Sayed Hashmatullah Sadat.

Fillimisht talibanët kanë tentuar t’i sigurojnë afganët dhe komunitetin ndërkombëtar se janë moderuar, dhe janë zotuar se do t’i respektojnë të drejtat e njeriut dhe shtypit.

Mirëpo, dy vjet pas kthimit në pushtet dhe rrëzimit të Qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi, islamistët e linjës së ashpër kanë dështuar që t’i zbatojnë premtimet e tyre dhe vazhdimisht i kanë kufizuar liritë e grave, i kanë shtypur zërat kundërshtues dhe kanë prezantuar forma brutale për ta vënë drejtësinë në vend./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!