Nesër protestë në Policinë e Kosovës, të pakënaqur me pagat

schedule18:49 - 14 Gusht, 2023

schedule 18:49 - 14 Gusht, 2023

Nesër (e martë), në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre. Kështu bëri të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.

Kryetari në këtë sindikatë, Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, mirëpo ende nuk ka reagim nga MPB-ja.

Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim sot edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Arsyeja është se në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë premtuar para tre muajve se do të rregullojnë vlerën e koeficienteve sipas pozitive që kanë, ku në këtë grup janë, automekanik, autolimarët, muratorët, ujë-instaluesit, elektricistët e shumë kategori të mjeshtërive, ku me Ligjin e ri të pagave janë diskriminuar shumë”, thotë Zeqiri.

Zeqiri tha se numri i këtyre punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100. Ai tha se punëtorëve ju ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi.

Në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë./KP

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!