Vetëm 6 pikë në 5 javët e para janë shumë pak për një ekip si Milani. Humbja përballë Torinos ka vënë në rrezik pankinën e Marco Giampaolos, por drejtuesit e kuqezinjve nuk duan të nxitohen.
Ata kanë vendosur t’i besojnë sërish trajnerit të ri. Milani zhvilloi ndeshjen më të mirë në këtë fillim sezoni përballë ekipit granata, sidomos pjesën e parë. Në ekip u dalluan disa ndryshime për mirë dhe “djalli” dëshiron të riniset nga 45 minutat e para në Torino.
Drejtuesit kanë konfirmuar besimin kundrejt Giampaolos, por me një kusht. Këto 7 ditë do të jenë deçizive për të ardhmen e tij në stolin e kuqezinjve.
Milani duhet të konfirmojë rritjen në lojë në ndeshjen e nesërme kundër Fiorentinës në shtëpi dhe atë të radhës kundër Genoas në transfertë. Mbi të gjitha, ekipi duhet të fitojë.
Më pas është radha e pushimit si pasojë e ndeshjeve të kombëtareve dhe një ndryshim në pankinë do të bëhej më i thjeshtë edhe për drejtuesit e klubit italian, gjithmonë nëse nuk vjen kthesa në rezultate. /abcnews.al