Shkencëtarët duket se janë afër zbulimit të një specieje njerëzore të panjohur deri më tani, sipas hulumtimeve të reja. Një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Kina, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar studiuan fosilet e një fëmije, i cili, bazuar në llogaritjet e shkencëtarëve, jetoi rreth 300,000 vjet më parë në rajonin Hualongdong të Kinës.
Studimi, i publikuar në Journal of Human Evolution, thekson se fosilet që shkencëtarët studiuan ishin kocka të nofullës, kafkës dhe këmbëve, ndërsa ajo që u bëri përshtypje është se tiparet e fytyrës që ata analizuan nuk përputheshin me të dhënat gjenealogjike. Për këtë arsye ata besojnë se kanë gjetur një lidhje të panjohur në pemën familjare të evolucionit njerëzor.
Tipari i gjetur në kafkë që i çoi shkencëtarët në këtë përfundim ishte se ajo “nuk kishte mjekër të vërtetë”. Bazuar në këtë veçori, studiuesit thonë se ajo është më e ngjashme me Denisovans, një specie e zhdukur e njeriut të lashtë në Azi që u nda nga Neandertalët 400,000 vjet më parë.
Gjymtyrët, kapaku i kafkës dhe nofulla, që ka të ngjarë t’i përkisnin një fëmije 12 ose 13-vjeçar, duket se të gjitha “pasqyrojnë tipare më primitive”, sipas studiuesve. Megjithatë, pjesa tjetër e fytyrës së fëmijës kishte tipare që dukeshin më shumë si njerëzit modernë./abcnews.al