Kush është personi që dyshohet se ka porositur kokainën

schedule13:53 - 27 Shtator, 2019

schedule 13:53 - 27 Shtator, 2019

Zbulohet biznesmeni që ishte pritësi i 137 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar, me pjesëmarrjen dhe të agjentëve të DEA-s amerikane. Ai është Gentian Malindi, i arrestuar më parë dhe për një sasi prej 500 kilogramë hashash.

Ky është Gentian Malindi që dyshohet se ishte porositësi i 137 kg kokainë të sekuestruara në portin e Durrësit. Biznesmeni u shpall në kërkim nga uniformat blu, ndërsa më herët u arrestuan Altin Myslihaga dhe Ardian Bega të dy punonjës në portin e Durrësit. Lënda narkotike ishte fshehur në katër kontenierë me banene që ishte nga Ekuadori, kishte ndaluar në Greqi dhe sipas prokurorisë së krimeve të rënda destinacioni final ishte Shqipëria. Operacioni ndërkombëtar “Kuito” u drejtua nga DEA Amerikane, policia Greke dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Pas nisjes së kokainës nga Ekuadori në Greqi, më pas në vendin tonë, lënda narkotike u dorëzua në mënyrë të kontrolluar. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është fiskuar ky moment, ku Ardian Bega 53 vjeç është futur brenda ambienteve të portit të Durrësit.

Sipas dëshmisë së dhënë nga një prej të arrestuarve, ata kanë hyrë në port nga ana e Urës së Dajlanit dhe kanë mundur të marrin disa nga pako me drogë. Rruga e tyre ka vijuar drejt Shkëmbit të Kavajës, kur gjatë ecjes kanë kuptuar se diçka nuk shkonte. Ishte pikërisht Gentian Malindi që kuptoi se në pakot e kokainës kishte edhe oriz. Sipas dëshmisë dhënë para oficerëve të Ardian Begës, Malindi u ka kërkuar të mos flasin pasi në automjet mund të kishte përgjues. Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë. Në qershor të vitit 2013, Malindi është arrestuar pasi në një furgon mallrash u gjet nga policia mbi 300 kilogramë kanabis, që vinte nga Lazarati.

Në lidhje me shpalljen në kërkim nga policia të Gentian Majlindit ka reaguar edhe babai Ilir Malindi, i cili është edhe avokat i tij. “Djali im nuk ka lidhje me lëndën narkotike. Ai nuk do të dorëzohet derisa çështja të marrë rrugë ligjore”- u shpreh ai.

/ABC News Albania 24/7