Fundoset trageti me 251 persona në bord në Filipine

schedule14:57 - 21 Dhjetor, 2017

schedule 14:57 - 21 Dhjetor, 2017

Një traget me 251 persona në bord është mbytur në Filipine për shkak të motit të keq. Autoritetet bëjnë të ditur se 4 persona kanë humbur jetën. Ndërsa dhe 7 të tjerë janë shpallur të zhdukur.

Një traget me 251 persona në bord është fundosur në brigjet e Filipines. Viktimat e verifikuara janë katër, ndërsa 7 të tjerë janë shpallur të zhdukur. Në total janë shpëtuar 240 persona. Pjesa më e madhe e pasagjerëve duhej të arrinin lokalitetet, ku do të kalonin festat e fundvitit. Sipas kreut të Shërbimit të Emergjencës të provincës Kuezon në Filipine, Huanito Diaz, mjeti lundrues është goditur nga një valë e madhe, e cila e ka përmbysur.

Incidenti ka ndodhur në brigjet e Real, një qytet që gjendet 70 kilometra në lindje të Manilës, ndërsa anija për shkak të motit të keq kishte ndryshuar rrugëtim për në ishullin Polilo. Zëdhënësi i Rojes Bregdetare, Armando Balilo, njofton se trageti, “MV Mercraft 3”, është nisur mëngjesin e së enjtes nga veriu i provincës Kuezon, në rajonin qëndror të vendit.

Rreth orës 11 me orën lokale, 4 e mëngjesit në Shqipëri, autoritetet kanë marrë një telefonatë emergjence nga anija. Një i mbijetuar tregon për mediat vendase se erëra të forta dhe valë të mëdha kanë goditur tragetin për rreth dy orë përpara se të fillonte të fuste ujë nga pjesa e përparme.

“Pasagjerët u zhvendosën në njërën anë dhe më pas trageti filloi të fundosej”, thotë ai.

Ndërkohë, nga kjo ngjarje kanë mbetur edhe disa persona të lënduar. Ata janë dërguar në një spital të zonës ku dhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor./abcnews.al