Klubi londinez ofron 30 milion euro për Brojën

schedule22:48 - 8 Gusht, 2023

schedule 22:48 - 8 Gusht, 2023

E ardhmja e Armando Brojës vijon të jetë e pasigurt. Sulmuesi shqiptar ka bërë që klubi i Chelsea të jetë në dilemë. Edhe pse nuk mori pjesë në turneun amerikan, 20-vjeçari cilësohet pjesë e rëndësishme e klubit.

Megjithatë, West Ham nuk heq dorë. Klubi i mirënjohur këmbëngul për blerjen e yllit shqiptar, madje duke qenë të gatshëm të bëjnë një investim të rëndësishëm, që përllogaritet deri në 30 milionë euro.

Edhe pse ofertat e tyre të mëparshme janë refuzuar, “çekiçët” do të trokasin sërish te Chelsea, të shtyrë edhe nga dëshira e Brojës që të shkojë në një skuadër elitare ku do të luajë rregullisht. Për momentin, këtë mund t’ia garantojë West Ham, që shiti Scamacca-n tek Atalanta dhe kërkon një pasardhës të denjë.

Oferta financiare është e rëndësishme dhe Chelsea ka nevojë për të mbushur arkat. Megjithatë, Armando Broja i cili ka qenë pjesë e bluve prej ekipit të 9-vjeçarëve dhe ka kontratë deri në vitin 2028, cilësohet si një prej të rinjve më të rëndësishëm.

Edhe dëmtimi i Nkunku, që do të qëndrojë disa muaj jashtë fushave, ka bërë që në Stamford Bridge të mbajnë Brojën në skuadër, si alternativë cilësore për trajnerin Maurizio Pocchetino. Drejtuesi i stolit është shprehur me superlativa për sulmuesin kuqezi dhe dëshiron ta mbajë në skuadër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!