VIDEO LIVE/ I jepet lamtumira e fundit Sinéad O’Connor

schedule14:43 - 8 Gusht, 2023

schedule 14:43 - 8 Gusht, 2023

Që nga mëngjesi qindra fansa të saj janë mbledhur në rrugët e bregdetit të Bray për t’i dhënë lamtumirën e fundit, këngëtares irlandeze Sinéad O’Connor.

Anëtarët e familjes së saj i kanë kërkuar vajtuesve që të mblidhen para shtëpisë së vjetër të këngëtares, ku ajo jetoi për shumë vite përpara se të zhvendosej për një kohë në Londër. Njerëz nga i gjithë ishulli, Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës udhëtuan gjatë natës për t’i dhënë lamtumirën 56-vjeçares që ndërroi jetë më 26 korrik. Fansat kënduan ‘Nothing Compares to U’ si dhe ‘Scaret Ribbons’, duke duartrokitur çdo herë pas përfundimit të këngëve. Një furgon kampingu i dekoruar me flamuj dhe lule u ndal gjithashtu para shtëpisë së saj, duke luajtur këngë nga altoparlantët e tij.

Jashtë shtëpisë së saj të vjetër, e cila është shitur por nuk banohet, ka qirinj të ndezur, lule, shënime të shkruara me dorë dhe lloj-lloj kujtimesh për nder të gruas, e cila, sipas një fansi që tha për Daily Mail, “Ishte drita e Irlandës”. Dikush vendosi një karrige rozë në hyrje, dhe mbi të një foto të këngëtares dhe një buqetë me trëndafila rozë.

Në varrimin e saj, i cili do të bëhet në prani të disa personave, do të marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Michael D. Higgins.

Ndërkohë, fansat e O’Connor kanë krijuar një instalacion të madh, një memorial në një kodër të gjelbër në Bray Head, Co Wicklow. Monumenti lexon emrin e vendit në gjuhën kelte dhe emrin Sinead, ndërsa ka edhe një zemër të bardhë./abcnews.al