Gjeorgjia do të shënojë të martën 15 vjetorin e luftës së saj pesëditëshe me Rusinë, që çoi në pushtimin e një të pestës së vendit të Kaukazit Jugor nga forcat pro-ruse.
Gjeorgjia nisi një sulm ndaj militantëve në Osetinë e Jugut më 7 gusht të vitit 2008, pas disa ditë përleshjesh dhe muajsh me tensione midis Moskës dhe Tbilisit rreth saj dhe kryengritësve në Abhkazi në bregun e Detit të zi, të dyja këto rajone që u përpoqën të shkëputen në luftërat në fillim të viteve 1990 me rënien e Bashkimit Sovjetik.
Rusia u përgjigj me një kundërsulm shkatërrues që rrënoi ushtrinë gjeorgjiane. Forcat ruse u futën në Gjeorgji, duke tronditur besimin në rrugët e naftës dhe gazit drejt perëndimit që kalonin përmes ish-republikës sovjetike.
Lufta pesëditëshe la pas vetes të paktën 390 civilë të vrarë dhe në kulmin e saj u zhvendosën më shumë se 100,000 njerëz. Sulmi i ashpër i Rusisë rrënoi shpresat e Gjeorgjisë për të rimarrë kontrollin e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe frenoi planet e anëtarësimit të vendit në NATO. Perëndimi e dënoi përgjigjen e Rusisë si “joproporcionale”, por gjithashtu fajësoi për sulmin presidentin gjeorgjian Mikheil Saakashvili.
Etnikisht të ndryshëm nga gjeorgjianët, banorët e Osetisë së Jugut flasin gjuhën e tyre, të lidhur me gjuhën farsi dhe thonë se janë ndarë nga bashkëqytetarët e tyre në rajonin fqinj të Osetisë së Veriut në Rusi. Aktualisht mendohet se rreth 98 për qind e popullsisë së Osetisë së Jugut ka pasaporta ruse, ndërsa rusishtja është gjuhë e përditshme në territorin e kontrolluar nga Rusia dhe rubla ruse – monedhë në përdorim.
Vetëm pesë vende anëtare të Kombeve të Bashkuara i njohin Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë si vende të pavarura, Rusia, Siria, Nikaragua, Venezuela dhe Nauru. Dy vende të tjera – Tuvalu dhe Vanuatu – i kanë tërhequr njohjet e tyre.
Today marks fifteen years since Russia invaded Georgia and occupied 20% of its land. Russia still refuses to abide by its 2008 ceasefire commitments. The United States strongly supports Georgia’s sovereignty, territorial integrity, and Euro-Atlantic aspirations.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) August 7, 2023
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Gjeorgjisë brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Ashtu si në Ukrainë, populli i Gjeorgjisë ka vuajtur pasojat e përbuzjes së Rusisë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe dëshirës për të dominuar fqinjët e saj, thuhet mes tjerash në një deklaratë të sekretarit Blinken në të cilën nënvizohet se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për popullin e Gjeorgjisë dhe dëshirën e tij për integrimin euroatlantik./VOA