Sipas një sondazhi të kryer nga Continental në MB, 83% e shoferëve të anketuar pranuan se nuk kishin kontrolluar presionin e gomave të tyre në 30 ditët e fundit. Në të njëjtën kohë, pothuajse 30% e të anketuarve kanë treguar në një pyetje lidhur me këtë se nuk i kanë kontrolluar gomat për një periudhë edhe më të gjatë prej 90 ditësh apo edhe më gjatë.
Të dhënat e hulumtimit tregojnë se një pjesë e madhe e shoferëve mund të kenë humbur deri në 30% të presionit në gomat e makinës së tyre gjatë kësaj kohe pa u shqetësuar as për të bërë një kontroll.
Kur presioni i ajrit të një gome nuk është i duhuri, në këtë rast më i ulët se ideali, atëherë sipërfaqja e kontaktit të saj me sipërfaqen e rrugës rritet. Kjo rezulton në një rritje të fërkimit me asfaltin, i cili nga ana tjetër rrit humbjen e energjisë, d.m.th. lëndë djegëse fosile ose energji elektrike, që automjeti të nisë nga ndalesa dhe të mbajë një shpejtësi të caktuar.
Rritja e deformimit të një gome të pa fryrë kur rrotullohet rrota gjithashtu kontribuon në rritjen e konsumit të karburantit. Kjo është arsyeja pse duhet harxhuar më shumë energji për të lëvizur një makinë me një shpejtësi të caktuar sesa një tjetër që ka presionin e duhur të gomave./abcnews.al