Analistët në Serbi janë të mendimit se presidenti Aleksandër Vuçiç ndodhet në asamblenë e përgjithshme në Nju Jork me dy misione të ndryshme që lidhen me Kosovën: dialogu me Prishtinën dhe tërheqja e njohjeve për pavarësinë.
Delegacioni serb në Nju Jork ka shkuar me sa duket me dy misione: vazhdimin e bisedimeve me Kosovën dhe lobimin për tërheqje të njohjeve të Kosovës. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është takuar me zyrtarë të ndryshëm botërorë, nga ata që shpreson ti ofrojnë mbështetje për tërheqje e pavarësisë e deri tek takimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka kërkuar zgjidhje. Serbia thotë se megjithatë Evropa dhe SHBA insitojnë në një zgjidhje të shpejt.
Dragoljub Petroviç, kryeredaktor i të përditshmes “Danas”, thotë se nuk ka asgjë të re nga Amerika pasi përsëriten dëshirat për zgjidhje dhe kërkesa për heqjen e taksave. Por, Vuçiç dëshiron të tregohet si lider pro evropian dhe ta zgjidhë problemin.
“Me arritjen në pushtet dhe firmosjen e marrëveshjes së Brukselit, të cilën e ka firmosur Daçiç, Vuçiç i ka treguar botës që ai dëshiron zgjidhje. Por ja, kanë kaluar 7 vjet dhe nuk po e arrin për shkak të situatave të ndryshme. Kosova është e dhimbshme për votuesit serbë dhe Vuçiç kërkon një situatë që të mos e pranojë kurrë që e ka pranuar Kosovën”.
Këtu Vuçiç është takuar me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov. Një nga porositë që presidenti serb ka çuar në Nju Jork, është ajo se Serbia nuk mund të mos fitoj asgjë nga marrëveshja me Kosovën. Serbia disa herë ka porositur se duhet kompromis. Petroviç thotë se ideja ka qenë që të zgjidhet problemi duke sqaruar që nuk është humbje totale në këtë rast. Ideja e përkufizimit ka qenë për ta shitur zgjidhjen si të suksesshme.
“Nuk shoh ide tjetër që do të kënaqte një pjesë të votuesve në Serbi, që do të sqaronte arsyen pse e zgjidhim problemin. Kjo mund të prezantohej sikur ne kemi fituar diçka edhe pse mund ti humbnim të gjitha, dhe i bie që kemi dhënë ca fshatra që nuk na duhen pasi në to jetojnë shqiptarët”.
Asambleja e përgjithshme e OKB-së kësaj radhe është dukur më e rëndësishme për shkak të pozicionimit para një vazhdimi të mundshëm të bisedimeve./ABC News Albania 24/7