150 mijë euro do vendosen nga qeveria shqiptare në dispozicion të studentëve të shkëlqyer, që do përzgjidhen për të vijuar studimet në SHBA përmes programit “Fullbright”. Vendimi bëhet i ditur nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, që ndodhet në SHBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Cakaj është takuar me Asistent Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, Marie Royce. Hapi i parë ishte nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi mes SHBA-ve dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për zbatimin e programit të “Fullbright” në fushën e arsimit.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Cakaj thotë se “ky buxhet do të jetë i përvitshëm dhe do të rrisë me disa herë kuotat e studimit të studentëve shqiptarë, në universitetet më prestigjioze amerikane, në programe shkencore që variojnë nga 3 muaj deri në 24 muaj.” Nisma e qeverisë synon rritjen e cilësisë së arsimimit dhe inkurajimin e rezultateve sa më të larta në studimet universitare./ABC News Albania 24/7