“Kualifikimi ende i hapur”, trajneri i Partizanit, futbollistëve: Asgjë nuk është mbyllur

schedule23:18 - 31 Korrik, 2023

schedule 23:18 - 31 Korrik, 2023

Ndonjëherë është më keq kur je në këtë rol. Partizani cilësohet favorit absolut për fitoren në ndeshjen e kësaj të marte në Ligën e Konferencës ndaj rivalit nga Andorra, Atletik Eskaldes.

Të kuqtë fituan 1-0 jashtë fushe një javë më parë, ndërsa kundërshtari është në letër mjaft më i dobët, veçse edhe frika nga ndonjë dështim i mundshëm është shumë më e madhe.

Për këtë arsye, trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Zoran Zekiç, kërkoi përqëndrim dhe seriozitet nga të besuarit e tij, në prag të sfidës së orës 20:45 në “Arenën Air Albania”.

“E kemi analizuar ndeshjen e parë. Ne mund të jemi të lumtur për rezultatin në Andorra, por jo për mënyrën si luajtëm. Por ne kemi parë dhe sa gjëra nuk bëmë mirë, taktikisht, në vrapim, pa agresivitet, duke qenë në vonesë shpesh. Për të vazhduar më tej duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Kam folur me ekipin. Nuk ka kundërshtar të lehtë pas tre javësh në këtë kompeticion, por ne duhet të kuptojmë që duhet përqendrim i madh dhe të jemi shumë më mirë. Ne e pamë për shembull se si Ferencavaroshi luajti ndaj skuadrës të Ishujve Faroe, se si skuadra tjetër e Andorras fitoi ndaj Hibernian. Ndaj duhet të mendojmë për këto shembuj”, tha Zekiç.

A pritet që Partizani të shfaqet ndryshe në fushë këtë herë?

“Me siguri do të ndryshojë diçka, ndoshta sistemin, disa lojtarë. Nuk është e rëndësishme si e nis, por si e mbyll. Me 5 ndryshime mund të ndryshosh ritmin e lojës dhe për mua të gjithë lojtarët janë shumë, shumë të rëndësishëm. Ne kemi folur shumë pas kësaj ndeshje, kemi parë shumë momente të papëlqyeshme, shpresoj që të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Sigurisht mund lë luajmë shumë më mirë në secilën fazë të futbollit. Ne punojmë shumë, por askush nuk dëgjon për këtë. Të gjithë do vijnë nesër në ndeshje që të shohin atë që bëjmë dhe ne duhet t’u tregojmë paraqitjen më të mirë të mundshme. Turi i tretë? Nëse fitojmë nesër, do të flasim për këtë pas ndeshjes”, u shpreh ai.

Partizanit do t’i mungojë Mensah i operuar nga apandesiti, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme.

Synimi është padyshim kualifikimi për në turin e tretë të Ligës së Konferencës./abcnews.al