Goditja e gjyqtarit Eldorian Hamiti pati pasoja të rëndë për Kamzën një vit më parë. Komisioni i Disiplinës nuk e kurseu klubin periferik të kryeqytetit, duke e përjashtuar nga kampionati dhe duke e rrëzuar dy kategori më poshtë.
Kampionati nis këtë fundjavë dhe te Kamza po mundohen të ndërtojnë në kohë rekord ekipin për sezonin aktual në Kategorinë e Dytë. “Vazhdojnë selektimet e lojtarëve, si çdo ditë, në stadiumin tonë, ora 13:30. Të gjithë futbollisteët e interesuar mund t’i bashkohen ekipit tonë”, njoftojnë kamzalinjtë përmes faqes zyrtare në Facebook.
Normalisht vështirësitë janë të mëdha – kuptohet edhe nga fakti që bëhen thirrje përmes rrjeteve sociale – edhe për shkak të problematikave të brendshme që ka pasur klubi, në raportin bashki-presidencë.
Tashmë në krye të bashkisë nuk është më Xhelal Mziu dhe vendin e tij e ka zënë Rakip Suli. Presidenti Naim Qarri kërkon që Bashkia të jetë në mbështetje të ekipi, sidomos në aspektin financiar. Në Kategorinë e Dytë nuk kërkohen shpenzime të mëdha dhe palët duhet të bashkëpunojnë dhe ta ngjitin një kategori më lart Kamzën, më pas mund të bëhen plane të tjera. /abcnews.al