Zjarri në Rodos, mijëra banorë dhe turistë kaluan natën në plazhe dhe rrugë

schedule08:12 - 24 Korrik, 2023

schedule 08:12 - 24 Korrik, 2023

Mijëra turistë dhe banorë që kanë ikur për shkak të zjarrit në ishullin grek të Rodosit, u grumbulluan në shkolla dhe strehimore, të dielën. Shumë të tjerë u evakuuan me anije private nga plazhet, derisa flakët kërcënonin resortet dhe fshatrat bregdetare. Madje mijëra banorë dhe turistë kaluan natën në plazhe dhe rrugë.

Operatorët turistikë, Jet2, TUI dhe Correndon, anuluan fluturimet për në Rodos, i cili shtrihet në juglindje të Greqisë kontinentale dhe është i famshëm për detet e ngrohta dhe vendet antike. Zjarri i bëri shkrumb pemët ndërsa kafshët e ngordhura shtriheshin në rrugë pranë makinave të djegura, shkruan Reuters.

Brigada e zjarrfikësve raportoi se arritën që t’i largonin 19 mijë njerëz nga shtëpitë dhe hotelet, duke e quajtur atë si transportin më të madh të sigurt të banorëve dhe turistëve, që ka kryer ndonjëherë Greqia.

Turisti britanik, Chris Freestone tha se TUI nuk kishte automjete transporti të mjaftueshme për 800 personat në Labranda, hoteli ku ai po qëndronte, dhe njerëzit duhej të pritnin në plazh për varkat që nuk mbërrinin.

“Tymi po vinte në drejtimin tonë. Kështu që të gjithë u nisëm në këmbë. Kam ecur 19 kilometra në këtë vapë dje. M’u deshën katër orë”, tha Freestone, nga një sallë sportive, ku gjendeshin qindra të evakuuar, në qytetin kryesor të ishullit, Rhodes Town, i cili gjendet më në jug, e që nuk ishte prekur nga zjarret.

TUI tha se ekipet po bënin gjithçka që mundeshin për të mbështetur klientët dhe se kishin dërguar staf shtesë, në atë që e quajti “një situatë të vështirë”.

Zjarret janë të zakonshme në Greqi, por verat më të nxehta kanë sjellë më shumë prej tyre vitet e fundit, me shtysën tjetër – ndryshimin e klimës.

Anijet e rojës bregdetare dhe varkat private kanë transportuar më shumë se 3 mijë turistë nga plazhet, të shtunën, pas zjarrit, i cili u rindez në juglindje të Rodosit. Pjesë të tjera, të ishullit të tretë më të populluar të Greqisë nuk u prekën.

Shumë njerëz u larguan nga hotelet kur flakët e mëdha arritën në fshatrat bregdetare të Kiotari-t, Gennadi-t, Pefki-t, Lindos-it, Lardos-it dhe Kalathos-it. Turmat u mblodhën në rrugë nën një qiell të kuq, derisa tymi rëndonte mbi brigjet e shkrumbuara.

Një tjetër turist britanik, John Bancroft, 58 vjeç, tregoi se si banorët e ishullit u dhanë ndihmë turistëve dhe tha se policia kishte urdhëruar pronarin e hotelit, Cosmas Maris, në Lardos, të evakuonte të gjithë klientët dhe stafin pasi zjarri ishte fare aty pranë.

Në Lindos, i famshëm për akropolin mbi një shkëmb masiv brenda mureve mesjetare, zjarri dogji shpatin e kodrës dhe ndërtesat.

Thanasis Virinis, nënkryetar i bashkisë së Rodosit, i tha televizionit, Mega, të dielën se midis 4 mijë dhe 5 mijë njerëz ishin në strehim të përkohshëm, duke bërë thirrje për donacione të gjërave thelbësore si dyshekët dhe mbulesat e shtratit.

Të evakuarit shkuan në hotele, qendra konferencash dhe ndërtesa shkollore, ku atyre iu dha ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore, thanë autoritetet.

“Gjithnjë e më shumë tym”

Qytetarë francezë, gjermanë, holandezë dhe britanikë ishin midis turistëve në Rodos, për të cilin një hotelier tha se mund të pres 150 mijë vizitorë në të njëjtën kohë në pikun e sezonit. Popullsia rezidente e ishullit është rreth 125 mijë.

Një turist francez në Lindos tha se kishte parë një frekuencë në rritje të avionëve amfibë zjarrfikës në qiell gjatë ditëve të fundit. Aeroplanët e verdhë shiheshin duke marrë ujin e detit për të shuar zjarret, treguan imazhet televizive.

“Gjithçka po ndodh shumë shpejt, ne po shohim gjithnjë e më shumë tym”, tha turisti, i cili dha vetëm emrin, Hugo, për televizionin francez.

Një tjetër turist britanik falënderoi vendasit për bujarinë e tyre, në një intervistë me televizionin grek, duke thënë se dyqanet refuzonin pagesën për ujë dhe ushqim dhe varkat e vogla kishin çuar fillimisht gratë dhe fëmijët në vend të sigurt, përpara se të ktheheshin për burrat.

Derisa turmat mbushën Aeroportin e Rodosit, Ministria e Jashtme greke tha se po krijonte një zyrë ndihmëse për njerëzit që kishin humbur dokumentet e udhëtimit.

Shoqata gjermane e udhëtimeve, DRV, deklaroi se rreth 20 mijë turistë gjermanë ishin në ishull, por vetëm një pjesë e vogël u desh të evakuohej.

Operatori turistik, Jet2, ka thënë se pesë avionë të planifikuar për të dërguar më shumë turistë për pushime në ishull, do të fluturojnë bosh dhe do t’i bartin njerëzit për në shtëpitë e tyre, në fluturime të planifikuara. Air France-KLM tha se fluturimet e përditshme nga Rodosi po funksiononin normalisht. Ryanair tha po ashtu se fluturimet drejt dhe nga ishulli nuk u ndikuan nga zjarri.

TUI ka shtuar se anuloi të gjitha fluturimet për në Rodos deri të martën. “Klientët që aktualisht janë në Rodos do të kthehen me fluturimin e synuar për në shtëpi”, thuhej në një deklaratë.

Më shumë se 250 zjarrfikës, me ndihmën e 18 avionëve, shuan zjarret për të mbrojtur pyje dhe më shumë zona të banuara. Mbrojtja civile paralajmëroi për rrezik shumë të lartë të zjarreve, të dielën, në pothuajse gjysmën e Greqisë, ku temperaturat pritej të arrinin 45 gradë Celsius.

Valët e të nxehtit në Evropën Jugore dhe në shumë pjesë të botës mund të zgjasin deri në gusht. Shtetasi gjerman, Andreas Guhl, ka thënë se gjatë rrugës për në Aeroportin e Cologne-Bonn-it, pa me të vërtetë se kishte shpëtuar nga më e keqja në Rodos, me gjithë tymin që shihte në horizont dhe historitë e “tmerrit” që dëgjoi nga bashkëvendasit e tij.

“Ishte shumë nxehtë dhe shumë thatë në ishull dhe zjarri nuk ishte shumë larg hotelit tonë”, tha ai. “Thjesht shpresoja që të mos na arrijë”.