Një epokë e re ka nisur për futbollin në Shqipëri, pas vendimit të Federatës për vendosjen e shpërblimeve për talentet e akademive. Specialisti i njohur, Redi Jupi, është tepër optimist në intervistën e dhënë për Abc News.
Talente ka, por mungojnë profesionistët, mund të perifrazonim një fjali të kryeministrit. Kjo pritet të ndryshojë shpejt, pas vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, për të vendosur shpërblim për talentet nëpër akademi, madje një specialist i fushës si Redi Jupi, është plotësisht i bindur, në intervistën për Abc News-in.
Federata vendosi që çdo klub të ketë të drejtë të fitojë shpërblim për rritjen e talenteve, me 3 milionë lekë në vit për klubet me akademitë më të mira, për të zbritur shuma në 2 milionë, 1 milionë e 500 000 lekë të reja, për kushte më inferiore.
Përse Jupi mendon se ky vendim do të ketë ndikim kaq të madh?
“Deri tani mendonin që nëpërmjet udhrave nga lart mendohej se mund të rregullohej futbolli i moshave. Futbolli i moshave do rregullohet tani pas këtij vendimi që është marrë. Nëpërmjet këtij vendimi dhe infrastruktura do gjejë mënyra që të përmirësohet dhe të shkojë atje ku duhet”.
Përtej mungesës së fitimit nga klubet për talentet, sa të përballueshme janë pagesat dhe sa përzgjedhje bëhet për më të mirët?
“Ato pagesa janë për shërbimin që marrin. Nuk është e vërtetë që nuk ka bursa dhe tolerime për fëmijët e talentuar. Nëse numri do bëhet 50 mijë, 60 mijë patjetër do shkohet tek seleksionimi”.
Redi Jupi është krijues i akademisë “Football Republic”. Si po i shkojnë punët?
“Sipërmarrje shumë të mëdha. Po shkon mirë. Është organizim i përditshëm i 500-600 komponentëve të ndryshëm. Jemi në rrugën e duhur. Me ngritjen e disa qendrave të tilla pas disa viteve futbolli shqiptar do marrë frytet e tij.”/ABC News Albania 24/7