Gushti ka rezultuar muaji më i frekuentuar nga turistët e huaj, ndërkohë që shqiptarët kanë zgjedhur të pushojnë jashtë vendit. Janë këto të dhënat zyrtare që ka bërë publike Instituti i Statistikave.
Shqipëria është preferuar nga më shumë se 1 milionë e gjysmë turistë gjatë muajit Gusht. Të dhënat zyrtare të institutit të statistikave tregojnë të detajuara shifrat në rritje krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar.
“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Gusht 2019, janë rreth 2 milionë e 257 mijë. Krahasuar me Gusht 2018, ky tregues rezulton me rritje 6,4 %. Në Gusht 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë rreth një milionë e 557 mijë, krahasuar me Gusht 2018, ky numër është rritur me 7,4 %”.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë përgjatë tetë muajve të 2019 është afro 4.870.588, duke u rritur me 10,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Gusht të këtij viti, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Maqedonia ka pasur rritjen më të madhe me 19,2 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 19,6 %.
Polakët renditen të fundit edhe në përllogaritjen e shtetasve të huaj që kanë hyrë gjatë 8 muajve të fundit duke pësuar ulje të ndjeshme me 13,3 përqind krahasuar me vitin 2018, ndërsa e para në listë renditet Zvicra, janë 16,9 përqind më shumë zviceranë që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë këtë vit.
E ndërsa të huajt shijojnë diellin dhe natyrën shqiptare në Gusht, shqiptarët kanë preferuar të nxihen kilometra larg vendit të tyre. Janë rreth 727 mijë shtetas që kanë udhëtuar drejt destinacioneve të huaja turistike duke shënuar një rritje me 5.4 përqind krahasuar me një vit më parë./ABC News Albania 24/7