“Kosova po ikën nga Europa”/ Analistët kryqëzojnë kryeministrin e Kosovës

schedule21:28 - 17 Korrik, 2023

schedule 21:28 - 17 Korrik, 2023

Vendimi i Albin Kurti, kryeministrit të Kosovës për të mos ardhur në Tiranë në drekën informale të organizuar nga Kryeministri Edi Rama me liderët e Ballkanit Perëndimor në Kuadër të Procesit të Belinit është një vendim i gabuar.

Analisti Agron Hoti thotë se krahas procesit të Berlinit, Open Balkan apo përplasjeve me Edi Ramën, Albin Kurti ka dalë kundër procesit me të rëndësishëm ku është e përfshirë Kosova, procesin e stabilizim asocimit.

Sipas Artan Muhaxhirit, sociolog dhe analist politik u shpreh për Kosova Press se është e papranueshme dhe e palogjikshme që problemet artificiale mes Kurti dhe Ramës të ndikojnë në raportin e Kosovës me Bashkimin Europian.

“Takimi i sotëm nuk ka qenë vetëm i kryeministrit Rama, por ka qenë edhe i BE-së, prandaj është krejtësisht e palogjikshme që të refuzohet…pasi kjo dëmton rrugën evropiane të Kosovës… Është tejet zhgënjyes ky refuzim i Kurtit që të marrë pjesë në këtë takim, pasi ai është ftuar si i barabartë me liderët të tjerë të Ballkanit. Natyrisht aty do të bëhen biseda të rëndësishme, plane dhe orientime strategjike. Vetë përjashtimi i Kurtit dhe Kosovës nga këto marrëveshje gjithsesi do të shkaktojë dëme afatgjate në proceset e ndryshme integruese evropiane” tha ai.

Arbresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike deklaroi për Kosova Press se pjesmarrja e Kurtit në drekën e ditës së sotme mund të bënte që Kosova dhe Shqipëria të ktheheshin në aktorë dhe influencues të rëndësishëm të Procesit të Berlinit.

“Nuk ka asnjë pengesë që kryeministri me qenë aty. Hatër mbetjet që dy kryeministrat i kanë është çështje tjetër dhe diçka që duhet me u zgjidh përtej kornizave që janë rajonal dhe evropian. Natyrisht unë pres që ndër të tjera përveç mosmiratimit të lëvizjes së lirë në mes Kosovës dhe Bosnjës së Hercegovinës do të diskutohet edhe për alternativën e Ballkanit të Hapur, apo një hapje ekonomike dhe procedurale e cila është proklamuar prej Gjermanisë, siç është tregu i përbashkët rajonal” u shpreh Loxha

Në takimin informal të kësaj të hëne përveç kryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë,  i pranishëm ishte edhe Komisioneri për Zgjerim I Bashkimit Europian Oliver Varhelyi.