Në pyjet që mbron UNESCO/ Rrajca prej 6 vitesh pjesë e trashëgimisë botërore

schedule20:19 - 15 Korrik, 2023

schedule 20:19 - 15 Korrik, 2023

Kjo mrekulli natyrore ndodhet në Rrajcë. Fshati shtrihet në lartësitë e Librazhdit dhe është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë.

Në 7 korrik 2017, në Sesionin  e 41-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, pyjet e paprekura të ahut në Rrajcë u shpallën pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-S.

Pyjet e ahut janë 200-300 vjeçare dhe shtrihen në lartësinë mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.

Të tilla hapësira me pemë shekullore janë të rralla në Evropë. Pyjet e paprekura garantojnë vijueshmërinë e habitateve.

Janë mbi 4 mijë e 700 hektarë që shërbejnë si strehë e mbrojtje për shumë krijesa, kërpudha, insekte apo edhe kafshët e tjera të mëdha si arinjtë.

Bukuritë e jashtëzakonshme të Rrajcës tërheqin turistë të shumtë. Por specialistët thonë se edhe me zhvillimin e turizmit duhet treguar kujdes në mënyrë që të mos ketë ndotje dhe dëmtime.

Çdo gjë aty bëhet sipas ligjeve të natyrës e larg ndikimit te njeriut. Flora e saj përmban ahun, bredhin, pishën, lisin, shelgun.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë fillon në verilindje të Librazhdit dhe shtrihet mbi një sipërfaqe rreth 34.000 hektarë. Përgjithësisht është i mbuluar nga pyjet por në të gjenden edhe burime dhe dy lumenj të mëdhenj në veri lumi i Qarrishtës dhe në jug lumi i Bushtricës. Bukurinë zonës ja shtojnë edhe 14 liqene akullnajore./abcnews.al