Policia Kufitare në aksion/ Bllokohen 20 mjete lundruese nga porti i Durrësit-në Vlorë, gjoba të majme për drejtuesit

schedule12:19 - 15 Korrik, 2023

schedule 12:19 - 15 Korrik, 2023

Policia Kufitare ka nisur një operacion nga porti i Durrësit-në Vlorë, ku ka bllokuar 20 mjete lundruese, 10 Jet Ski, 7 skafë dhe 3 gomone.

Mësohet se 16 prej tyre janë bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës, ndërsa katër të tjerët nga nga shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit.

Si pasojë, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000-100 000 lekë të rinj.

Njoftimi i Policisë:

Në të gjithë hapësirën ujore të vendit, grupe kontrolli nga Policia Kufitare dhe nga Njësia Policore Detare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Nga porti i Durrësit-në Vlorë, janë bllokuar 20 mjete të tjera lundruese, prej tyre 16 nga DVKM Vlorë dhe 4 nga DVKM Durrës.

Mjetet e bllokuara: 10 Jet Ski, 7 skafë dhe 3 gomone.

Shkeljet e konstatuara: lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, tejkalim i kapacitetit të mbajtjes së personave në bord, mosregjistrim i pronësisë mbi mjetin lundrues dhe mungesë dokumentacioni.

Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000-100 000 lekë të rinj.

Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore në të gjithë vendin, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, shërbimet e Departamentit të Policisë Kufitare kanë bllokuar 20 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.

1.Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës u bllokuan:

-2 Jet Ski, pasi lundronin jashtë zonës së përcaktuar për këtë aktivitet dhe për pasojë përbënin rrezik për pushuesit. Drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masë administrative 100 000 lekë të rinj secili.

-1 skaf me 2 motorë, pasi ishte bregëzuar jashtë zonës së përcaktuar. Drejtuesit i tij u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë të rinj.

-1 skaf, pasi kishte në bord, numër pasagjerësh në tejkalim të kapacitetit mbajtës, duke iu rrezikuar jetën këtyre shtetasve. Drejtuesi i skafit u ndëshkua me masë administrative 30 000 lekë të rinj.

-7 Jet Ski, 3 gomone dhe 2 skafë, pasi drejtuesit e tyre ishin të papajisur me dokumentacionin e nevojshëm për lundrim. Këta shtetas u ndëshkuan me masë administrative 10 000 lekë të rinj secili.

Gjithashtu, në lidhje me një fotografi të postuar ditën e djeshme, në portalin “JOQ”, sipas së cilës, në Drimadhe, një skaf ishte pozicionuar pranë pushuesve, ju bëjmë me dije se menjëherë pas publikimit, janë kryer të gjitha verifikimet (të dokumentuara me video nga shërbimet e Policisë Kufitare), nga të cilat ka rezultuar se skafi i shfaqur në këtë fotografi, po lundronte brenda korridorit të sigurisë, të kufizuar me bova, konform ligjit.

2.Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit u bllokuan:

-1 skaf në kepin e Rodonit, pasi drejtuesi i tij kishte marrë në bord 12 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit, 6 prej tyre shtetas të mitur), në tejkalim të kapacitetit mbajtës të këtij mjeti lundrues. Për shkak të kësaj paligjshmërie, 13 shtetasve iu rrezikua seriozisht jeta. Policia Kufitare iu shkoi në ndihmë këtyre 13 shtetasve, përmes një operacioni shpëtimi që zgjati deri në mesnatën e datës 10 korrik. Drejtuesi i këtij skafi u ndëshkua me masë administrative 40 000 lekë të rinj.

-1 skaf, pasi lundronte jashtë zonës së përcaktuar për këtë aktivitet dhe për pasojë përbënte rrezik për pushuesit. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë të rinj.

-1 skaf, pasi pronari i tij nuk kishte regjistruar pronësinë mbi këtë mjet lundrues, sipas detyrimeve ligjore. Ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 20 000 lekë të rinj.

-1 Jet Ski, pasi drejtuesi i tij nuk ishte pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për lundrim. Ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj.

Monitorimi i vijës bregdetare dhe i hapësirës ujore në të gjithë vendin, vijon.