Napoli nuk ka hasur probleme për të fituar në transfertën leçeze. Fernando Llorente zhbllokoi shifrat pas rreth gjysmë ore lojë. Goli i parë në kampionat me ekipin e ri për “gjigantin” spanjoll dhe i dyti në total pas atij kundër Liverpool në mesjavë në Champions, ndërsa Lorenzo Insigne dyfishoi shifrat me anë të një penalltie në minutën e 40-të, dy minuta pasi kishte humbur penalltinë e parë.
Në pjesën e dytë pati momente feste edhe për Fabian Ruiz, i cili shënoi një gol të bukur. Vendasit gjetën golin e nderit me anë të Mancosu, përpara se Llorente të shënonte golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin e Carlo Ancelottit.
Bologna dhe Roma i kishin ruajtur emocionet për pjesën e dytë. Kolarov kaloi miqtë në avantazh në minutën e 49-të. Serbi nuk gaboi nga goditja e dënimit, një specialitet i tij, dhe la në vend portierin Skorupski.
Pesë minuta zgjati festa kryeqytetase. Bologna fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Nicola Sansone. U duke se ndeshja do të përfundonte në barazim, por Edin Dzeko shënoi në minutën e tretë shtesë, duke i dhuruar një fitore të artë ekipit të tij. Fitoren e parë për këtë sezon siguroi edhe Sampdoria. Ekipi xhenovez mposhti Torinon 1-0 me gol të Gabbiadinit në pjesën e dytë. /abcnews.al
Bologna – Roma 1-2
(Sansone (pen) 54’ / Kolarov 49’, Dzeko 90+3′)
Lecce – Napoli 1-4
( Mancosu (pen) 61′ / Llorente 28’, 82′, Insigne (pen) 40’, Fabian Ruiz 52’, )
Sampdoria – Torino 1-0
(Gabbiadini 56’)

