Këshilli i Mandatave mblidhet këtë të martë në orën 16:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Prokuroria e Posaçme i kërkoi lejë kuvendit për të arrestuar ish-ministrin e financave njëherazi dhe ish-zëvëndës kryeministrin Arben Ahmetaj.
Në një lidhje të drejpërdrejtë, gazetarja Esiona Konomi tha për ABC News se dosja voluminoze e SPAK, nuk i është dhënë të gjithë deputetëve për shkak se nuk kanë certifikatën e sigurisë. Për shkak të sekretit hetimor në hetime, edhe mbledhja e Këshillit të Mandateve do mbahet me dyer të mbyllura me kërkesë të SPAK, ndërsa ende është e paqartë nëse vetë ish zëvendës kryeministri Ahmetaj do të jetë personalisht për t’u mbrojtur në komision apo do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës. ABC News gjithashtu e ka siguruar dosjen e SPAK ndaj Ahmetaj por nuk mund ta publikojë atë për t’iu bindur urdhrit të Prokurorisë, për sa kohë hetimet përbëjnë sekret hetimor.
SPAK ka nisur hetime për Ahmetajn prej shtatorit të kaluar në lidhje me ndërtimin dhe dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit. Prokuroria e posaçme depozitoi të premten kërkesën në Kuvend për të marrë miratimin për arrestimin e Ahmetaj dhe kontrollin e tij personal si dhe të banesës për 3 akuza, atë të Korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Kërkesa mbërriti të hënën në Kuvend, ndërsa të martën në orën 16:00, Lindita Nikolla urdhëroi mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vendosur nëse do të japë autorizimin për heqjen e mandate të Ahmetajt.
Më pas prokurori do i kërkojë gjykatës së posaçme caktimin e masës së sigurisë për Ahmetajn dhe miratimin për kontroll personal dhe atë të banesës. Në një njoftim zyrtar prokuroria e posaçme tha se Arben Ahmetaj akuzohet për 3 vepra penale, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash si dhe korrupsion të kryer në 6 episode të ndryshme. Më 22 qershor, ish zv/kryeministri u paraqit në SPAk ku dëshmoi për rreth 6 orë.

