Mirsad Jonuz, trajneri i Vllaznisë, është treguar i qartë sot para mediave, duke u shprehur se nuk u lejohet hap fals me Luftëtarin. Tekniku sfidon padrejtësitë që ai mendon se i janë bërë skuadrës së tij dhe është i fokusuar vetëm te sfida e nesërme me bluzinjtë.
“Nuk kemi opsion tjetër përveç fitores në këtë ndeshje. U kthyem pas një situate shumë të vështirë që u krijua pas ndeshjes me Tiranën. Dëmtimet që kemi patur jemi munduar t’i rikuperojmë, jemi munduar të harrojmë padrejtësitë që na janë bërë dhe pas barazimit me Teutën dhe fitores në Kupë. Futemi në ndeshjen e radhës të angazhuar maksimalisht për ta kaluar me sukses”, shprehet Jonuz.
Më tej ai shton: “Diferencat e vogla mes skuadrave mund të vihen re nga fundi i nëntorit. Do shihet se cili ekip do të jetë sipër në tabelën e renditjes dhe kush do të jetë më poshtë. Skuadra nuk është nën presion para ndeshjes me Luftëtarin, është një situate normale dhe lojtarët e dinë që është një ndeshje e cila duhet fituar me çdo kusht”.
FORMACIONI – “Do luajmë me një formacion sulmues në këtë takim, pasi duam ta fitojmë ndeshjen. Kemi patur një dyshim se kush do të luante në vend të Krymit dhe Ramadanit, por në atë pozicion do aktivizohet Hygor. Po ashtu, kemi një dilemë se kush do të luajë në mes Zogajt dhe Wenderson. Megjithatë kjo nuk ka shumë rëndësi. Duhet ta fitojmë këtë takim”, përfundon trajneri i Vllaznisë. / abcnews.al