“Falenderoj Ramën për besimin dhe mbështetjen”/ Çuçi pas shkarkimit: Punova me integritet, i uroj suksese Ballës

schedule21:45 - 8 Korrik, 2023

schedule 21:45 - 8 Korrik, 2023

Bledi Çuçi  ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se do t’i paraqesë një propozim Presidentit të Republikës të hënën, për shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Brendshëm.

Në reagimin e tij, Çuçi u shpreh falenderues ndaj Ramës për besimin dhe mbështetjen që i dha gjatë dy viteve që ai ushtroi detyrën e ministrit të Brendshëm.

Më tej, Çuçi thotë se ka punuar dhe shërbyer me integritet që nga dita e parë që mori këtë detyrë, teksa pati edhe një falenderim për ata që bashkëpunuan me të si dhe uroi Taulant Ballën, i cili do ta zëvendësojë.

“Falënderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë këto dy vite e gjysmë në detyrën e vështirë të Ministrit të Brendshëm. Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm.

Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues. Suksese Taulantit në sfiden e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit”, u shpreh Çuçi.

Më herët gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama deklaroi do t’i dorëzojë ditën e hënë, Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, propozimin e tij për lirimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama nënvizoi se do t’i propozojë gjithashtu kreut të shtetit, që në këtë post të vendoset Taulant Balla, i cili aktualisht është kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!