SHBA planifikon të dërgojë bomba thërrmuese në Ukrainë

schedule18:24 - 7 Korrik, 2023

schedule 18:24 - 7 Korrik, 2023

Sipas rrjeteve ndërkombëtare të lajmeve, SHBA po planifikon të dërgojë municione thërrmuese në Ukrainë.

Ukraina ka kërkuar armët për muaj të tërë, por shqetësimet janë ngritur pasi ato janë të ndaluara në më shumë se 100 vende.

Gazeta New York Times, duke cituar burime të besuara, shkruante se disa nga ndihmësit kryesorë të presidentit amerikan Joe Biden, përfshirë sekretarin e shtetit Anthony Blinken, kishin rekomanduar që SHBA të dërgonte armët.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA, gjenerali Mark Milley, tha gjithashtu javën e kaluar se Uashingtoni po shqyrtonte mundësinë.

Çfarë janë bombat thërrmuese?

Municionet thërrmuese përbëhen nga një bartës (bombë, predhë) brenda së cilës ndodhen të ashtuquajturat “nën-municione”, të cilat shpërndahen në një zonë të gjerë pasi transportuesi hapet mbi objektiv. Për nga natyra e tyre, larg armëve precize, ato janë përgjegjëse për vdekje të panumërta civile dhe përbëjnë rrezik për popullatën. Në fakt, ato janë një kërcënim si gjatë luftës ashtu edhe shumë kohë më pas, sepse disa nga bombat nuk do të shpërthejnë menjëherë.

Vihet re se më shumë se 120 vende kanë nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 2008 për Municionet Thërrmuese dhe konkretisht për ndalimin e përdorimit të tyre. Midis tyre janë aleatët kryesorë të Ukrainës dhe SHBA-së, si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Por Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja nuk e kanë nënshkruar atë traktat, megjithëse një ligj i vitit 2009 ndalon SHBA-në të eksportojë municione thërrmuese me shkallë të dështimit të bombave prej më shumë se 1%, që mbulon pothuajse të gjithë rezervën ushtarake të SHBA-së. Megjithatë, Biden mund t’i anashkalojë ndalimet e tilla në rastet që konsiderohen të jenë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA.

Më herët, Human Rights Watch (HRW) kritikoi Ukrainën dhe Rusinë për përdorimin e armëve grupore në konflikt. “Rusia ka përdorur gjerësisht municione thërrmuese, duke shkaktuar shumë vdekje civile dhe lëndime serioze”, thuhet në deklaratë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!