Dhjetëra eshtra janë gjetur në 14 varre sekrete në shtetin meksikan të Jalisco nga një grup i formuar nga nënat e të zhdukurve, informoi njëra prej tyre AFP. Varret sekrete ndodhen në një periferi të kryeqytetit të Jalisco, Guadalajara, e cila është gjithashtu qendra e dytë më e madhe urbane e Meksikës.
Ato shtrihen në një sipërfaqe prej rreth dhjetë hektarësh.
“Kam marrë një telefonatë anonime në të cilën më dhanë koordinatat e një lokacioni dhe më thanë se aty ishin varrosur mbi 50 trupa”, tha ajo.
Shteti i Jalisco ka numrin më të lartë të zhdukjeve në të gjithë Meksikën, rreth 15,000 që nga viti 1962, nga një total prej 111,203 në të gjithë territorin, sipas të dhënave zyrtare.
Ekspertët e sigurisë thonë se shifrat shpjegohen kryesisht nga luftërat midis karteleve, përfshirë bandën e Gjeneratës së Re të Jaliscos, për kontrollin e tregut të drogës.
Por jo të gjitha viktimat ishin përfshirë në krime, shumë prej tyre nuk kishin të bënin me botën e krimit. Në mungesë të rezultateve në hetimet zyrtare, familjet e personave të zhdukur jo rrallëherë gjejnë varre masive sekrete.
Më 14 qershor, një grup i përbërë nga nëna të personave të zhdukur njoftoi se ishin gjetur 27 thasë me eshtra. Ndërsa në fund të majit, trupat e tetë punonjësve të call center u gjetën në shtetin Jalisco, pak ditë pasi ishin zhdukur.
Viktimat, dy gra dhe gjashtë burra rreth të tridhjetave, ishin copëtuar dhe eshtra e tyre u gjetën në gati 50 qese plastike të hedhura në një luginë në Sapopan, një tjetër periferi të Guadalajara.
Zhdukjet e para në Meksikë datojnë në vitet 1960 dhe 1980. Por numri i tyre u rrit në mënyrë dramatike pas militarizimit të të ashtuquajturës “luftë kundër drogës” në 2006.
Që atëherë, vendi ka regjistruar më shumë se 350,000 vrasje, të cilat zyrtarisht i atribuohen në shumicën e tyre shlyerjes së llogarive.
/abcnews.al