Ka ardhur në një vend të ri, dhe këtë e ka kuptuar mjaft mirë.
Zoran Zekiç, trajneri i Partizanit, përgatitet për sfidën vendimtare në Champions ndaj BATE-s së Borisovit nga Bjellorusia, i ndërgjegjshëm se ka një hendek për të kapërcyer.
Pyetja e parë e Abc-së për teknikun nga Kroacia është se cilat janë përshtypjet e tij deri tani në Shqipëri dhe tek Partizani.
“Çdo etapë e re në karrierë sjell diçka të ndryshme, diçka interesante. Natyrisht, në fillim ka shumë gjëra të panjohura, mentalitet është disi më i ndryshëm, po ashtu mënyra e të menduarit të gjërave, por shpresoj që sa më shpejt të gjejmë pikën e përbashkët, që të kuptohemi sa më mirë, të tregohemi sa më profesionistë, dhe që këtë ta tregojmë në kohën kur të luhet ndeshja”.
Duket se ky muaj, korriku, është më i rëndësishmi për të.
“Po, është muaji më i rëndësishëm, për fat të keq. Koha është e paktë dhe ndryshimet janë të shumta, por gjithsesi nuk ka kuptim të qahemi. Më e rëndësishmja në këtë moment është të bëjmë gjithçka mundemi dhe të gjejmë mënyrën më të mirë për të kaluar kundërshtarin”.
Zekiç ka pasur shumë pak kohë për t’u përgatitur.
“Po kuptohet. E dinim këtë që kur u grumbulluam që do të kishim shumë pak kohë. BATE ka pasur më shumë kohë se ne. Një ekip i fortë dhe me lojtarë që kanë qenë së bashku për një kohë më të gjatë sesa ne. Gjithsesi, duhet të gjejmë energjinë dhe mendimin e përbashkët. Shpresoj të kemi përkrahjen e tifozëve, të japim gjithçka nga vetja. Në fund, rëndësi ka qe të kemi ndërgjegjen e pastër se kemi bërë gjithçka. Duhet të kemi energji, dëshirë, të vrapojmë dhe sidomos të tregohemi të zgjuar. Kjo është kryesorja”.
A beson Partizani se mund ta kalojë turin e parë në Champions?
“Po kuptohet. Duhet të besojmë te kualifikimi. Kundërshtari është tepër i fortë. BATE ka përvojë në kompeticionet europiane, kanë më shumë kohë së bashku sesa ne, por kjo nuk duhet të llogaritet. Ne duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndeshjen e parë e kemi në shtëpi, përpara tifozët tanë, kështu që duhet të bëjmë krenarë veten dhe tifozët. Pra duhet të japim gjithçka që kemi”.
Ndoshta Zekiç e di se këtu ka qenë Zllatko Daliç, trajneri i sotëm i Kroacisë, që ka drejtuar Dinamon e Tiranës.
Ndoshta edhe ai mund ta ketë një rrugë të tillë.
“Shikoni. Vetëm Zoti i Madh e di se çfarë do të na japë në rrugën tonë. E di se Zllatko Daliç ka qenë trajner këtu në Tiranë. Jo vetëm Daliç, por edhe Ilija Lonçareviç, njëri nga trajnerët më të mirë kroatë. Ishte edhe Josip Kuzhe, edhe zoti Oto Bariç, pra keni pasur fatin që këtu të kenë punuar trajnerët më të mirë të Kroacisë. Shpresoj që edhe unë të eci në gjurmët e tyre dhe që të të mbahem mend për diçka të mirë”./ h.ll/abcnews.al