Izrael, përleshje mes protestuesve dhe policisë në aeroportin e Tel Avivit

schedule19:21 - 3 Korrik, 2023

schedule 19:21 - 3 Korrik, 2023

Qindra protestues antiqeveritar u mblodhën sot jashtë aeroportit ndërkombëtar Ben Gurion të Tel Avivit dhe disa u përpoqën të çanin kordonin e policisë për të hyrë në terminalin kryesor, duke shkaktuar përleshje.

Trotuari jashtë sallës së mbërritjeve u pushtua nga protestuesit me flamuj, daulle dhe bilbila. Disa dhjetëra arritën të hyjnë për një kohë të shkurtër në sallë, sipas agjencisë Reuters.

Demonstrata u zhvillua në kuadër të mobilizimeve kundër reformës së diskutueshme të sistemit gjyqësor të promovuar nga qeveria Netanyahu.

Në një thirrje të shpërndarë në platformat e mediave sociale, organizatorët u kërkuan protestuesve të shkonin në aeroport me valixhe dhe pasaporta në mënyrë që të mashtronin forcat e sigurisë.

Policia kishte siguruar se nuk do të lejonte protestuesit të prishnin funksionimin normal të aeroportit. Në këtë kohë të vitit, Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion pret mesatarisht 90,000 udhëtarë në ditë.