Sot funerali i 17-vjeçarit Nahel, autoritetet franceze në gatishmëri për sulme të reja

schedule17:47 - 1 Korrik, 2023

schedule 17:47 - 1 Korrik, 2023

Mijëra të rinj janë mbledhur në Nanterre në periferi të kryeqytetit francez, për t’i dhënë lamtumirën 17 vjeçarit Nahel, djaloshit me origjinë algjeriane i cili u vra të martën e 27 qershorit nga një polic pasi nuk ndaloi për kontroll.

Varrimi i 17-vjeçarit Nael M., me origjinë nga Algjeria, do të bëhet sot, ndërsa vdekja e tij vijon t’i vërë flakën shumë rretheve të njohura të vendit.

Gati 1300 persona u arrestuan si dhe 80 policë u plagosën gjatë natës së katërt të trazirave. 45 mijë oficerë policie, përfshirë forcat speciale dhe autoblinda u mobilizuan për t’iu përgjigjur trazirave në të gjithë vendin. Situata në dy qytete të mëdha, Marsejë dhe Lion ishte kaotike, me ndërtesa dhe automjete të djegura dhe dyqane të grabitura.

Rreth orës 3 të mëngjesit, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin i tha kanalit të lajmeve BFMTV se 471 arrestime u bënë gjatë natës, krahasuar me 917 një natë më parë. Në Marsejë, oficerët arrestuan gati 90 persona ndërsa grupet e protestuesve dogjën makina.

Ministria e Brendshme pas disa orëve raportoi për 994 të arrestuar në të gjithë Francën gjatë natës,  79 policë të plagosur dhe 2560 vatra zjarri nëpër rrugët publike.

Mosha mesatare e të burgosurve është 17 vjeç, por mes tyre ka dhe fëmijë 13 vjeç, tha ministri i Brendshëm i Francës Gérald Darmanin duke përsëritur apelin drejtuar prindërve të mbajnë fëmijët brenda në shtëpi gjatë natës.

Ndërtesat dhe bizneset u vandalizuan gjithashtu në qytetin lindor të Lionit, ku një e treta e rreth 30 arrestimeve të bëra ishin për vjedhje, tha policia.