Ushtria iraniane ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në doktrinën e saj ushtarake, duke kaluar gradualisht nga një qasje mbrojtëse në një strategji më sulmuese, pas mësimeve të nxjerra nga konfliktet e fundit.
Gjeneral brigade Mohammad Akraminia, zëdhënës i ushtrisë iraniane, deklaroi për agjencinë shtetërore IRNA se ky ndryshim është zhvilluar gjatë asaj që ai i cilësoi si luftërat 12-ditore dhe 40-ditore.
Sipas tij, ndryshimi është reflektuar në reagime më të shpejta dhe më të gjera ndaj sulmeve, si dhe në përdorimin e operacioneve parandaluese.
Akraminia bëri gjithashtu një deklaratë të fortë lidhur me një ndërhyrje të mundshme tokësore amerikane në Iran. Ai tha se ushtria ka hartuar një plan që parashikon shpërblime për vrasjen ose kapjen e trupave amerikane që do të hynin në territorin iranian.
Sipas planit, pjesëtarët e forcave të armatosura apo civilët që posedojnë ligjërisht armë gjuetie do të përfitonin 5 miliardë tomanë, rreth 26 mijë dollarë, për vrasjen ose kapjen e një ushtari amerikan. Shpërblimi, sipas tij, do të dyfishohej në 10 miliardë tomanë, rreth 53 mijë dollarë, nëse veprimi do të kryhej nga një grua.
Zëdhënësi iranian shtoi se ushtria do të blinte gjithashtu armën e përdorur për dyfishin e vlerës së saj dhe do ta ekspozonte në një muze ushtarak së bashku me emrin e pronarit. Personit do t’i sigurohej edhe një armë e ngjashme zëvendësuese.


