Kryebashkiaku i natës i Tiranës, Rezart Cenaj në një intervistë për ABC News me gazetaren Gerta Vasku nga sheshi “Skënderbej”, aty ku po bëhen përgatitjet e fundit për koncertin madhështor të këngëtarit me famë botërore, Enrique Inglesias, tha se deri më tani interesi i qytetarëve ka qenë i lartë, ndërsa shitja e biletave do të vazhdojë edhe në orët në vijim.
Cenaj i bëri thirrje qytetarëve që do të jenë të pranishëm, që të vijnë në shesh rreth 2 orë para nisjes së koncertit në orën 21:30.
Ai theksoi se ky është aktiviteti i parë, që do të pasojë disa aktivitete të tjera të rëndësishme gjatë këtij viti, që sipas tij do të kthejnë Tiranën në qendër të vëmendjes që në fund do të përkthehet edhe në ekonomi.
Kryebashkiaku i natës tha se sonte do të ketë edhe shumë surpriza për publikun.
“Të gjithë janë në valën e madhe të punës, që çdo të jetë gati. Do ishte mirë që njerëzit të vijnë që në 19:30 edhe pse koncerti do të fillojë në 21:30.
Shitja e biletave është dinamike, shitja e tyre do të vazhdojë. Biletat mund të merren online, por ka edhe pika fizike këtu në shesh.
Të pranishmit do të jenë nga Rajoni, por edhe shumë turistë që janë aktualisht në Tiranë, do të jenë po ashtu të pranishëm.
Ky aktivitet është starti i një viti shumë interesant, ku do të ketë disa aktivitete me artistë botërore. Kjo e kthen Tiranën në qendër të vëmendjen dhe po ashtu përkthehet edhe në ekonomi.
Sot është hapja e “Javës Spanjolle”, ndërsa ajo që do të thoja është që përveç Enrique Inglesias, do të ketë edhe të tjerë në vazhdim, por edhe sonte po ashtu ka disa surpriza për publikun” tha Cenaj.
Në lidhje me praninë ose jo të artistëve shqiptarë, kryetari i natës nuk preferoi të fliste duke ritheksuar sërish surprizat.r.t/abcnews.al