Tirana e ka nisur mbarë kampionatin, por për të realizuar objektivin titull duhet vazhdimësi. Kampionati sapo ka nisur dhe në kampin bardheblu e dinë shumë mirë se asgjë nuk do të jetë e lehtë. Trajneri Ardian Mema e ka thënë hapur që çdo ekip i mobiluar është në gjendje t’i prishë punë çdo kundërshtari.
Ndaj edhe çdo ndeshje do vlerësimin e duhur. Tirana ndeshjen e radhës e zhvillon të shtunën, ndaj Kukësit në stadiumin “Elbasan Arena”. Stafi teknik për këtë ndeshje do të ketë të gatshëm edhe portierin Ilion Lika, i cili është rikthyer nga Gjermania.
Në sfidën me Skënderbeun ishte Edvan Bakaj në mbrojtje të katërkëndorit dhe bëri një paraqitje të mirë. Me shumë mundësi edhe ndaj Kukësit ai do të jetë titullar, duke pasur parasysh formën dhe faktin që Lika nuk është stërvitur gjatë kësaj periudhe.
Lajmi tjetër i mirë vjen nga Agustin Torassa. Sulmuesi argjentinas është rikuperuar dhe trajneri Mema mund të bëjë llogari me të. Me Kobbinah që po kalon një moment të mirë, ashtu sikurse edhe Grent Halili, trajneri Mema duhet të mendohet mirë për lojtarin që do të aktivizohet në të djathtë të sulmit. /abcnews.al