Britania e Madhe do ta ruajë interesin ndaj vendeve të Ballkanit. Këtë e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pas një takimi me ministrin e ri britanik të Evropës gjatë një takimi në Londër. Veliaj tha se Britania do të ndihmojë Shqipërinë të kthehet në promotore të start up-eve në fushën digjitale.
Tirana do të kthehet në promotore për financimin e start up-ve në fushën digjitale. Kryebashkiaku Erion Veliaj e beri te ditur nga Londra ku ishte per folur rreth ndryshimeve te ndodhura ne kryeqytetin shqiptar para nje paneli ne Shkollen Ekonomike. Atje takoi dhe takoi ministrin e ri të Evropës të Britanisë së Madhe.
“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që ndava me publikun në Shkollën Ekonomike të Londrës, shkolla më prestigjioze e këtij qyteti, arritjet e Tiranës dhe ato që të gjithë bashkë kemi bërë si komunitet. Ishte një mundësi fantastike jo vetëm për t’i ndarë këto ndryshime me ekspertë të fushës së planifikimit urban dhe menaxhimit të qyteteve, por edhe një mundësi e shkëlqyer për të takuar ministrin e ri të Evropës të Britanisë, i cili na konfirmoi se, edhe pse Britania tashmë ka marrë vendimin për të dalë nga BE-ja, do ta ruajë interesin në Ballkan”.
Kryebashkiaku i Tiranës tregoi se bashkëpunimi me qeverinë britanike do të vijojë në fushën digjitale.
“Kemi që nga koha e viteve të luftës së ftohtë, ku flitej për rrezikun anglo-amerikan, por jemi sot zyrtarisht një nga popujt më pro-amerikanë, më pro-britanikë, më pro-evropianë, ndaj është një lajm shumë i mirë interesi i vazhduar i Britanisë. Ashtu si me Shkollën Ekonomike të Londrës, ku Tirana po promovohet si histori suksesi, po mundohemi që me qeverinë britanike, të promovojmë kompani të reja (start-up) në fushën e digjitalizimit të qyteteve inteligjente, duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e Londrës. Jemi duke folur edhe me disa agjenci britanike, që qyteti i Tiranës të kthehet në një promotor për të krijuar një ekosistem, por edhe për të financuar start up-et, sidomos në fushën digjitale”
Një prej projekteve më ambicioze të Bashkisë së Tiranës është transformimi i Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan. Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se do të shfrytëzohet edhe eksperienca e shkollave britanike për mbështetjen e duhur të të rinjve dhe nismave të tyre për biznes. /ABC News Albania 24/7