Tension te Juventusi, Bonucci “ç’armatos” shokët

schedule08:45 - 19 Shtator, 2019

schedule 08:45 - 19 Shtator, 2019

Juventusi barazoi 2-2 mbrëmjen e djeshme kundër Atletico Madrid, ndërkohë që pas ndeshjes ka pasur një përplasje mes lojtarëve bardhezinj. Në shënjestër ka qenë sulmuesi anësor,  Juan Cuadrado, autor i golit të parë të Juventusit.

Mediat italiane raportojnë se kolumbiani është akuzuar nga shokët e skuadrës së tij për një prej golave të pësuar, madje gjithçka është parë edhe nga teleshikuesit. Është dashur ndërhyrja e Leonardo Bonucci për të qetësuar shokët e skuadrës së tij.

Qendërmbrojtësi, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes, ka konfirmuar atë që ka ndodhur me Kuadradon. Ai ka theksuar se problemet e tyre duhet të zgjidhen brenda familjes. “Kjo tregon urinë tonë që kishim për të fituar. Donim të iknim në shtëpi me tre pikët”, tha fillimisht italiani.

Më pas ai shtoi: “Këto janë rroba që duhen larë në shtëpi. Duhet të ishim më të kujdesshëm, Duhet të mësojmë si ta bëjmë këtë ekip të papërballueshëm”. Juventusi tani duhet ta harrojë ndeshjen e Champions League ndaj Atletico Madrid dhe tashmë të mendojë për sfidat e kampionatit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!